AlbanianSport.com 13/11/2018 16:55
ASNN – Mediat italiane vijojnë t’i japin notë të lartë gardianit të Kombëtares shqiptare të futbollit, Thomas Strakosha. Për të disatën herë portieri kuqezi i Lacios siguroi pjesëmarrjen e tij në 20-shen e lojtarëve më të mirë të Serisë A, me një diferencë fare të vogël kundrejt emrave kryesorë që ndodhen në krye të kësaj liste.
U deshën të kalonin 13 javë garë në kampionatin italian që Kristiano Ronaldo të ngjitej në krye si lojtari më i mirë i garës, duke zbritur nga froni polakun Piatek që ishte shfaqur si surpriza e madhe e sezonit. Në 20 më të mirët zë vend edhe Thomas Strakosha, e konkretisht në vend të 17-të, duke pasur notën 6.33.
Kristiano Ronaldo që mban vendin e parë dhe ka qenë përcaktues në fitoret e fundit të “Zonjës së Vjetër” mori notën 6.71. Në fakt, portugezi i Juventusit është i vetmi që kalon 6.7, pasi të tjerët janë në kufijtë e 6.3 deri në 6.6. Në vend të dytë në këtë renditje është Suso i Milanit, i ndjekur në vend të tretë nga Insinje i Napolit.
Për sportdashësit shqiptarë, është me interes dhe e rëndësishme që një pjesëtar i Kombëtares së tyre është ndër 20 lojtarët më të mirë të kampionatit italian. Kjo është vërtet inkurajuese për gardianin e skuadrës së trajnerit Kristian Panuçi, pinjollin e familjes së portierëve Strakosha.