AlbanianSport.com 29/09/2019 22:05
ASNN – Futbollisti i Kombëtares, vendimtar në triumfin 3-2 në kuadër të javës së 6-të në Turqi. Sokol Cikalleshi, vazhdon të shijojë një formë të mirë këtë fillim sezoni të kategorisë së dytë të kampionatit turk të futbollit. Sot ai ka shënuar dy gola në fitoren e skuadrës së tij, Akhisarit, në takimin e javës së 6-të.
Sulmuesi kavajas, i cili e nisi muajin shtator me gol në Francë kundër kampionëve të botës, e mbylli të dielën me një dygiolësh në kategorinë e dytë të kampionatit turk. Skuadra e tij, Akhisarspor ia doli të triumfojë me rezultatin 2-3 në fushë të huaj ndaj Fatih Karagumrukut.
Cikalleshi shënoi dy herë, në minutat 22 dhe 28, duke çuar përkohësisht rezultatin në 0-3, para se vendasit të shënonin dy herë për të rihapur takimin, por pa arritur të barazojnë. Sulmuesi kavajas ka shënuar në të gjitha takimet që ka zbritur në fushë këtë muaj.
Dhe kjo, si me Kombëtaren kuqezi në eliminatoret e Euro 2020-ës, ashtu edhe me Akhisarspor në ndeshjet e kampionatit turk. Ky ishte goli i katërt sezonal i Cikalleshit me ekipin turk, që kryeson renditjen në Kategorinë e Dytë me 13 pikë në 6 javët e para, duke u konfirmuar si pretendentja kryesore për t’u ringjitur mes më të mirave sezonin e ardhshëm.