AlbanianSport.com 13/11/2018 20:15
ASNN – Berat Gjimshiti ndali Ikardin dhe Interin në Serie A, tani e ka radhën Skocia në Ligën e Kombeve. Futbollisti që hapi serinë e konferencave të shtypit të skuadrës kombëtare në prag të dueleve me Skocinë dhe Uellsin më 17 dhe 20 nëntor 2018, ishte Berat Gjimshiti, mbrojtësi që po kalon një moment të mirë në Serie A. Vetë Gjimshiti kujtoi se në kuadër të Ligës së Kombeve dueli me Skocinë është mjaft i vështirë, por premtoi se ekipi po përmirësohet dhe do të bëjë maksimumin e vet.
“Nuk e di nëse është momenti më i mirë, – tha Gjimshiti para gazetarëve, – besoj është një moment i bukur, personalisht. Unë gjithmonë vij këtu për të dhënë maksimumin. Nuk ka problem nëse kam shënuar gol apo jo. Çfarë nuk po shkon te skuadra? Me Izraelin e patëm në dorë lojën, bëmë një ndeshje të mirë, nuk e merituam humbjen. Te goli i parë ishim të ngrirë, nuk e pritëm që do ta godiste portieri. Bëmë gabim të gjithë. Ato gjëra ndodhën, të mundohemi të bëjmë më mirë.”
“Nuk e di nëse do të luaj me Skocisë, – ka vijuar ai. – Nëse jam në fushë, provoj të jap më të mirën. Në fillim duhet të mbroj, pastaj nëse del rast për të shënuar akoma më mirë. Mendoj se është e vështirë t’i markosh të gjithë sulmuesit dhe nuk është vetëm Ikardi, në Itali ka nivel të lartë. Është një vlerësim psikologjik dhe duhet të japësh maksimumin të mos lejosh për të shënuar gol.” Nuk kishte si të mungonte komenti i tij dhe për rreshtimin që ndiqet në mbrojtjen e skuadrës kombëtare.
Aty ku në fakt ka pasur mjaft problem nga ndeshja në ndeshje. “Ne duhet të shikojmë përpara, – thotë futbollisti i Atalantës. – Futbolli ecën shpejt. Të gjithë duhet të japin kontribut që të jemi sa më të fortë dhe të bashkuar. Rreshtimi me 3? Është si alternativë. Mendoj që kemi shumë lojtarë që kanë luajtur disa herë atë sistem në ekipet e tjera. Nuk besoj se do jetë problem. E vendos trajneri. Mbrojtja bëhet me gjithë ekipin, nuk mbrohet vetëm me mbrojtësit. Ato që bëmë ishin gabime personale.”
“Ndaj Izraelit kemi bërë gabime më shumë personale dhe na kushtoi”, – theksoi më tej mbrojtësi me origjinë nga Lugina e Preshevës. Në fund një mendim për kundërshtarin e radhës, Skocinë, për të cilin Gjimshiti mendon se është i vështirë. “Besoj se me Skocinë do jetë një ndeshje e vështirë. Ata luajtën më mirë atje, ne kemi rastin që të tregojmë vlerat tona. Në fund duhet të arrijmë atë që duam. Nëse luajmë si skuadër, e dimë që jemi të fortë. Mendoj se tifozët na kanë përkrahur gjatë gjithë kohës. Shpresoj që do të jenë në stadium, të na japin force”, – përfundoi Gjimshiti.