AlbanianSport.com 18/01/2019 23:35
ASNN – Sokol Cikalleshi e ka nisur me gol aventurën me Akhisar, por ai nuk ka mjaftuar, sepse skuadra e tij është mundur 1-3 në fushën e vet nga Beshiktashi. 24 orë më parë ai kishte nënshkruar një kontratë me Akhisarsporin në kampionatin elitar turk dhe të premten në mbrëmjë shënoi golin e parë për këtë ekip, megjithëse luajti vetëm pjesën e dytë.
Bëhet fjalë për Sokol Cikalleshin, i cili bëri një debutim ëndrrash për skuadrën turke, madje duke i shënuar gol ekipit të njohur, Beshiktashit. Akhisarspori e humbi takimin në fushën e tij me rezultatin 1-3, por për Cikalleshin kjo ishte një nisje e fuqishme dhe mjaft domethënëse. Një nisje me gol dhe ritëm të lartë dhe pavarsisht se skuadra e tij humbi, ai shkëlqeu në fushën e blertë.
Duke u konfirmuar kështu menjëherë si blerje e rëndësishme dhe e merituar për kontratën e tij për 3 vjet e gjysmë me Akhisarsporin. Beshiktashi shënoi një gol në pjesën e parë e dy gola në pjesën e dytë, ndërkohë që për vendasit mendoi të shënojë golin e nderit pikërisht Cikalleshi, në minutën e 81-të të takimit. Sulmuesi kuqezi u fut në fushë në minutën e 46-të.
Pra menjëherë sapo nisi pjesa e dytë e ndeshjes, teksa realizoi në fund të takimit një gol që ekipit të tij i shërbeu vetëm për statistikë, pasi nuk u evitua humbja me gjiganden nga Stambolli. Ky ishte goli i parë për kavajasin në superligën e Turqisë për këtë sezon. Në fakt, Cikalleshi ka qenë pjesë e kësaj skuadre dy vite më parë, ku ka shënuar 7 gola në 14 ndeshje, kështu që goleadori kuqezi është në mjedisin e duhur për të regjistruar rekorde të reja.