AlbanianSport.com 31/10/2018 14:20
ASNN – Elis Bakaj është jo vetëm titullar me skuadrën e tij të Shahtjorit të Soligorskit në Bjellorusi, por njëherësh dhe një goleador. Dje mesfushori me tipare sulmuese shënoi një tjetër gol për skuadrën e tij në duelin kundër Vitebskut. Bakaj shënoi golin e dytë për skuadrën, ndërsa të parin Soligorski e kishte realizuar në pjesën e parë.
Rrjeta e Bakajt rezultoi mjaft e suksesshme, sepse i dha qetësinë ekipit dhe shtroi rrugën e fitores në këtë ndeshje. Edhe pse Vitebsku ngushtoi diferencën në fund, ajo nuk arriti të rrezikonte më shumë. Për pasojë fitoi ekipi i Bakajt me shifrat 2-1 dhe shqiptari konfirmohet dhe një herë si lojtar me peshë tek skuadra bjelloruse.
Një tjetër kuqezi spikati dje, Bëhet fjalë për Azdren Llullakun në kampionatin rumun, i cili shënoi me penallti për Astra Giurgiu në duelin kundër Klujzhit. Ky i fundit fitoi 3-2, por për sulmuesin kuqezi ishte një ndeshje e mirë dhe fakti që shënoi gol, qoftë dhe nga pika e bardhë e 11-metërshit, është domethënëse për ecurinë e tij në këtë sezon.
Sulmuesi shkodran Bekim Balaj luajti 90 minuta sot për Akhmat Groznin në Superligën e Rusisë, por nuk ia doli të shënojë e as të fitojë kundër Arsenal Tulës. Sic dihet, Odise Roshi, një tjetër kuqezi te ekipi i Groznit, nuk luan pasi është i dëmtuar dhe kthehet pas shumë javësh.
Ndërkohë, një tjetër shqiptar në Rusi ishte sot në stol, por nuk u aktivizua për ekipin e tij Jenisej. Bëhet fjalë për Enis Gavazajn, që ende nuk ka marrë rol titullari.
https://www.facebook.com/azdren.llullaku.902/videos/362804511124618/