AlbanianSport.com 03/08/2018 12:00
ASNN – Sulmuesi shqiptar shpërdoron dy mundësi të mira në barazimin 2-2 me Utrehtin. Vazhdon marrëdhënia e karakterizuar nga dashuria dhe urrejtja midis skuadrës spanjolle dhe sulmuesit shqiptar Armando Sadiku. Futbollisti kuqezi ka luajtur edhe në miqësoren që skuadra e tij spanjolle zhvilloi të enjten pasdite në Holandë përballë ekipit vendas të Utrehtit.
Kjo, ndeshje, e cila u mbyll në barazim 2-2, kishte dy tablo, pasi në pjesën e parë holandezët shënuan dy herë, por iberikët reaguan, duke shënuar dy herë në minutat e fundit të pjesës së dytë. Përkundër rrjedhës së lojës, ku Levante dominoi dhe pati raste të mira për shënim, ishte skuadra vendase që kaloi në epërsi në minutën e 19-të, me anë të Van de Strikut.
Ajo ka vijuar ta dyfishojë këtë epërsi 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë, me anë të Jansenit. Megjithatë, skuadra spanjolle ka luftuar deri në fund, ndërsa ka patur minuta edhe për sulmuesin shqiptar. Sadiku ka luajtur një rol pozitiv në barazimin e shifrave, por ai vetë nuk arriti ta gjejë rrugën e rrjetës, edhe pse pati dy raste të mira për shënim.
Në të parin ai goditi brenda zone, por pasaktësisht, duke shkuar dëm mundësinë për të barazuar shifrat. Ndërkaq, dy minuta para fundit, ai pati një tjetër mundësi shumë të mirë për të shënuar, por goditja e tij u grushtua nga portieri, duke i dhënë mundësi lojtarit tjetër të Levantes, Huan Delgado, të shënojë golin e dytë.