AlbanianSport.com 04/02/2024 16:15
ASNN – Mbyllet 1-1 dueli i javës së 22-të të Kategorisë Superiore në Kurbin. Laçi dhe Vllaznia kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila, teksa përballja midis tyre të dielën pasdreke është mbyllur në barazim 1-1. Në fakt, sfida e zhvilluar në Stadiumin e Kurbinit nisi mjaft mirë për shkodranët, të cilët provuan me shumë raste, por pa gjetur rrjetën. Dhe përkundër rrjedhës së lojës, është Laçi që, në minutën e 38-të, fitoi me anë të Sobouejllit një 11-metërsh mes polemikash, që u shndërrua në gol pas dy minutash nga Ujka.
Me këtë epërsi minimale të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa edhe në ato të dytat, janë sërish shkodranët që ishin më kërkues dhe arritën ta gjejnë golin në minutën e 50-të, me Alivodën, i cili goditi në hyrje të zonës dhe topi u devijua nga Paulo Zhunior për të shkuar në rrjetë. 40 minutat në vijim do të shohin një lojë të hapur, me të dyja skuadrat që e kanë kërkuar golin që do të ndryshonte shumëçka. Madje në minutën e 66-të, kryesori Hamiti akordoi një tjetër 11-metërshi për kurbinasit.
Por pas 4 minutash pritje dhe pas konsultimit të Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), ai e anuloi vendimin e tij. Me shkodranët që iu afruan në krahun tjetër golit, por u ndalën nga shtylla e djathtë pingule e portës vendase, por me rrjeta të paprekura janë mbyllur minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe minutat shtesë dhe Vllaznia merr një pikë që e rikthen mbi Tiranën, në vendin e 3-të, në kuotën e 34 pikëve. Kurse Laçi ngjitet në kuotën e 27 pikëve, por zbret në vendin e 6-të, një pikë më pak se Dinamo.