AlbanianSport.com 06/02/2019 20:20
ASNN – Durrsakët nuk tolerojnë as në ndeshjen e kthimit, fitojnë 4-0 dhe “prenotojnë” Kukësin. Teuta nuk e ka falur Lushnjën as në ndeshjen e kthimit, duke fituar me rezultatin e thellë 4-0 dhe duke u kualifikuar kështu për në çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 7-1.
Fitorja me shifrat 3-1 e takimit të para dy javëve në fushën e Lushnjës e ka bërë ndeshjen e kthimit një formalitet, por ajo që ka bërë përshtypje ishte çmobilizimi i plotë i skuadrës myzeqare, gjë që u vu re edhe nga mënyra e shënimit të golave. Ka qenë i riu Uendi Vecaj ai që e ka gjetur dy herë brenda 2 minutash rrugën e rrjetës për durrsakët.
Shkodrani e ka mposhtur portierin lushnjar fillimisht në minutën e 30-të, duke kaluar Teutën në epërsi. 120 sekonda më pas, futbollisti i ri dyfishon epërsinë e bregdetarëve me golin e tij të dytë në këtë takim. Me këtë epërsi dygolëshe të Teutës është mbyllur pjesa e parë, ndërsa në të dytën, vendasit do të gjejnë edhe dy gola të tjerë.
Fillimisht me anë të Lorenco Vilës, që realizon në minutën e 60-të. Dhjetë minuta më pas, edhe Amadu do të shkruajë emrin e tij në listën e shënuesve, duke vulosur fitoren e thellë 4-0.