AlbanianSport.com 06/02/2019 21:15
ASNN – Kurbinasit kualifikohen me 3 gola në pjesën e parë, në çerekfinale përballë Tiranës. Ishte cilësuar si një nga rezultatet e papritura të ndeshjeve të para të turit të 16-shes së Kupës Shqipërisë, por ajo fitore 2-0 e arritur nga Bylisi në Ballsh para dy javësh, është davaritur të mërkurën në Kurbin, pasi Laçi ka fituar me rezultatin 3-0 dhe ka siguruar biletën për në çerekfinale.
Në fakt, e gjitha historia e kësaj ndeshjeje është shkruar brenda 44 minutave të para, kur kurbinasit e kanë gjetur 3 herë rrugën e rrjetës. Ka qenë shkodrani Ndriçim Shtubina ai që ka ngritur i pari siparin e golave në minutën e 9-të, duke ruajtur gjakftohtësinë dhe duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit, edhe në përsëritjen e goditjes, e duke përshëndetur rrjetin.
Skuadra e trajnerit Besnik Prenga ka vijuar të ushtrojë presion edhe në vijim ndaj skuadrës ballshiote, duke gjetur golin e dytë 17 minuta më pas, me anë të Sebastian Torosë, ndërsa Gjoni do të shënojë në mbyllje të pjesës së parë edhe golin e 3-të, që do të nënkuptojë përmbysjen e humbjes në ndeshjen e parë. Pjesa e dytë nuk do të sjellë gola të tjerë dhe është Laçi që fiton dhe siguron kualifikimin për më tej.
Duhet theksuar se Laçi mund të cilësohet si specialiste e Kupës së Shqipërisë në këtë 10-vjeçar të fundit, pasi e ka fituar atë në sezonet 2012-2013 dhe 2014-2015, ndërsa është mundur në finale një vit më pas, në sezonin 2015-2016. Në çerekfinale, kurbinasit do të kenë përballë Tiranën.