AlbanianSport.com 26.11.2016 15:55
ASNN- Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt takimin më të spikatur të javës, atë që u luajt në Stadiumin “Zeqir Ymeri” midis Kukësit dhe Tiranës. Kjo sfida ka parë vendasit më ngulmues në kërkim të fitores, duke krijuar një vëllim më të madh loje dhe duke krijuar e shkuar dëm një numër rastesh për shënim.
Nga ana tjetër, Tirana e drejtuar tanimë nga trajneri i mirënjohur, Mirel Josa, është paraqitur një ekip i disiplinuar taktikisht, që i ka patur rastet e veta për shënim, por pa arritur të gjejë dot golin. Ndërkohë, verilindorët e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka, kanë pretenduar në 3 raste edhe për një 11-metërsh.
Por, në të 3 rastet gjyqtari kryesor Kridens Meta i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke vazhduar lojën. Po kështu, Kukësi e ka gjetur edhe dy herë rrugën e rrjetës në pjesën e dytë, por në të dy rastet ka fishkëllyer Meta, i cili në rastin e parë ka sinjalizuar për një pozicion jashtëloje të kroatit Pero Pejiç, ndërsa në rastin e dytë për ndërhyrje të parregullt në dëm të portierit bardheblu, Ilion Lika. Me një goditje të bukur të Tiranës, të pritur po aq bukur nga portieri i Kukësit, Koliçi, do të mbyllet kjo ndeshje, që dhuroi spektakël dhe emocione, por jo gola. Kukësi ngjitet në kuotën e 24 pikëve, por mbetet në vendin e dytë, me 2 pikë më pak se Skënderbeu kryesues, që ka fituar të shtunën 1-0 në Laç, ndërsa Tirana ngjitet në kuotën e 21 pikëve.