AlbanianSport.com 11/03/2024 16:15
ASNN – Të hënën u luajtën edhe dy ndeshje të tjera të javës së 27-të të Kategorisë Superiore, duke nisur me atë të pasdrekes, ku Kukësi u rikthye te fitorja në kampionat pasi mundi Laçin me rezultatin minimal 1-0. Erdhi kështu fitorja e parë në kampionat pas 5 muajsh, teksa skuadra verilindore mund mes polemikash Laçin dhe shpreson, edhe pse vetëm matematikisht, te mbijetesa.
Sfida nisi me ritëm të ulët, teksa kurbinasit pretenduan për dy 11-metërsha në pjesën e parë, por me kryesorin dhe Sistemin e Ndihmës-gjyqtarit të Videos (VAR) që nuk akorduan asnjë. Pjesa e dytë nisi me gol nga ana e verilindorëve, me Beshirajn që shënoi në minutën e 52-të, teksa më pas arritën të administronin rezultatin. Tensioni nuk mungoi nga ana e lojtarëve, që patën disa herë përplasje në fushën e lojës.
Kështu Kukësi vazhdon të jetë në vendin e fundit duke shkuar në kuotën e 22 pikëve dhe duke shpresuar te mbijetesa. Nga ana tjetër Laçi vazhdon në vendin e 7-të me 30 pikë. Java e 27-të e Kategorisë Superiore ka nisur të dielën dhe, më herët, Partizani është treguar cinik në Rrogozhinë, duke e mundur Erzenin 4-0, ndërsa në mbrëmje, Egnatia nuk e ka gjetur dot fitoren, duke u ndalur në minutën e 7-të shtesë.