AlbanianSport.com 05/07/2020 20:10
ASNN – Ai është i qetë në dukje, por, si një “ushtar i vjetër” në lojën e futbollit, Orges Shehi e di që 90-minutëshi i së hënës mund të vlejë një sezon për Kukësin e tij. Verilindorët përballen të hënën me Tiranën, në takimin e vlefshëm për javën e 32-të të Kategorisë Superiore, të ndërgjegjshëm se një humbje, pse jo, edhe një barazim, do të nënkuptonte kapitullin, çka e bën fitoren alternativën e vetme të pranueshme.
“Jemi të vetëdijshëm që është takimi më i rëndësishëm për ne, sepse kemi përballë një kundërshtar që, për nga pikëpamja e pikëve që ka grumbulluar, na e bën këtë sfidë një nga më vendimtare për ne”, – ka deklaruar trajneri Kukësit, duke folur para sfidës së të hënës, që do të luhet në kryeqytet, duke nisur nga ora 17:45.
“Kështu që e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të hedhim në fushë lojtarët që do të dinë t’i bëjnë ballë këtij kundërshtari”, – ka shtuar Shehi, i cili në këtë përballje shkon pa një lojtar mjaft të rëndësishëm, siç është Vasil Shkurtaj. 28-vjeçari ka shënuar 20 nga 49 golat e realizuar nga skuadra këtë sezon, por u dëmtua në minutat e para të përballjes së Kupës në mesjavë përballë Teutës.
“Patjetër që është një mungesë e rëndësishme, – ka pohuar trajneri durrsak i kukësianëve. – Shkurtaj është pika jonë e referimit në sulm dhe unë këtë e kam theksuar edhe herë të tjera. Ai është golashënuesi ynë kryesor, por futbolli i tillë është, ka edhe dëmtime, kështu që ne do të vazhdojmë të shohim përpara.” Tirana kryeson në kuotën e 65 pikëve, 9 më tepër sesa Kukësi, kur kanë mbetur edhe 5 javë për t’u luajtur.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: