AlbanianSport.com 26.02.2017 23:05
ASNN – Nuk ka fitues në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, pasi Kukësi-Partizani mbyllet në barazim 0-0. Të dyja skuadrat luajnë me kujdes të madh në mbrojtje duke u përpjekur të përfitojnë nga ndonjë gabim i kundërshtarit për të shënuar. Megjithë përpjekjet, as Pejiçi në njërin krah, e as Ekubani në krahun tjetër, nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 8-të vjen goditja e parë e takimit, kur Lena gjuan nga jashtë zone por pret Hoxha.
Kundërpërgjigjet Batha, që gjuan rrezikshëm me të djathtën në 13-tën, por topi përfundon fare pranë shtyllës pingule. 14 minuta më pas ka gol për Kukësin. Kalim i shkëlqyer i topit nga Pejiç për Eminin, i cili shënon, por gjyqtari anësor e anulon golin për pozicion jashtë loje. Minuta e 31-të dhe Partizani ka një rast të mirë për të shënuar, kur, fare pranë portës, Malota gjuan, por portieri Enea Koliçi e pengon me trup topin të shkojë në rrjetë.
Sërish Partizani provon me Ibrahimin me një gjuajtje nga larg, por sërish Koliçi shpëton portën, duke e grushtuar topin në goditje këndi. Janë minuta me lojë të rëndë të të dyja skuadrave. Megjithë përpjekjet, skuadrat shkojnë në pushimin e ndeshjes me rrjeta të paprekura. Pjesa e dytë nis me një aksion të rrezikshëm të Partizanit. Ekubani gjuan rrezikshëm, por Koliçi, në pozicion, largon me vështirësi. Minuta e 61-të sjell probleme midis dy tifozerive, konfrontime nga larg midis tyre.
Ka edhe goditje me stola, por ndërhyn policia për të risjellë qetësinë në shkallët e stadiumit. Edhe futbollistët e të dyja skuadrave mundohen të qetësojnë tifozeritë e tyre. Loja rifillon dhe, në minutën e 72-të është një sulm i Kukësit. Topi brenda në zonën e Partizanit, godet Emini por topi prek shtyllën. Megjithë minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari Koçi, ndeshja Kukësi-Partizani mbyllet me rrjeta të paprekura. Tashmë Skënderbeu e Kukësi ndodhen në krye të renditjes me 47 pikë, ndërsa Partizani në vendin e 3-të me 43 pikë.