AlbanianSport.com 11/07/2019 21:50
ASNN – Premton në pjesën e parë, por mundet me 3 gola në pjesën e dytë përballë Debrecenit. Edhe Kukësi është mundur në takimin e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Evropës, duke kapitulluar me shifrat 0-3 në Hungari përballë Debrecenit vendas. Ka qenë një natë e hidhur evropiane kjo e së enjtes në Hungari, pasi skuadra e trajnerit Gjoka ka premtuar në pjesën e parë, por është mundur me 3 gola në pjesën e dytë.
Ka rezultuar një mbrëmje negative e enjtja për shqiptaret në Ligën e Evropës, pasi edhe Kukësi është mundur në takimin e parë të turit të parë, duke kapitulluar me shifrat 0-3 në Hungari përballë Debrecenit vendas. 45-minutëshi i parë i ndeshjes së luajtur të enjten në mbrëmje në Stadiumin “Nagjerdei Stadion” është karakterizuar nga një lojë mbi nivelin mesatar, me të dyja skuadrat që luajnë hapur dhe e synojnë shpesh portën e njëra-tjetrës.
Debreceni ka qenë më i rrezikshëm në rastet e tij, por edhe Kukësi nuk ka mbetur prapa, edhe pse me goditje nga larg, ndërsa në minutën e 11-të, verilindorët kanë një rast të mirë me Ramën, që depërton deri në fund, por portieri vendas është më i shpejtë. Në krahun tjetër, është portieri i Kukësit, Frashëri, i cili detyrohet të reagojë shpejt për të shmangur rrezikun në portën e tij, edhe me kosto. Rroca ka një rast të mirë për Kukësin, por shpërdoron në mënyrën e 20-të dhe jo më kot, trajneri Gjoka vë duart në kokë.
Është një moment i mirë për Kukësin ky dhe 4 minuta më pas, Rroca godet mjeshtërisht nga e majta, por topi rrok shtyllën e portës hungareze dhe kthehet në lojë. Pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, që nuk kanë munguar, por, sa për pasaktësi në finalizim, aq edhe për meritë të portierëve përkatës, 45 minutëshi i parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Pjesa e dytë do të nisë më mirë për hungarezët, të cilët do të gjejnë golin e parë në minutën e 54-t, me autor Garbën.
Kukësi do të hidhet në sulm për të gjetur golin e barazimit, por hungarezët do ta administrojnë mirë epërsinë, duke e thelluar madje atë 13 minuta para fundit, kur Varga gjen golin e dytë të Debrecenit. Vetëm 6 minuta më pas, është sërish Varga që firmos golin e tij dytë personal dhe të 3-tin e skuadrës së tij. Përfundimisht, Debreceni mund Kukësin 3-0 në Hungari dhe verilindorët kanë përpara një mision të vështirë përmbysjeje në “Elbasan Arena” pas një jave, edhe pse konturet e eliminimit janë përvijuar më dukshëm në horizontin e nënkampioneve të Shqipërisë.