AlbanianSport.com 13.01.2017 08:45
ASNN – Kukësi është mundur 1-0 nga Kairati i Almatisë, në miqësoren e zhvilluar në Antalia. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka zhvilluar një lojë të mirë, por futbollistët nuk kanë mundur të finalizojnë në rastet e krijuara. Madje Kukësi ka humbur edhe një 11-metërsh, teksa Pejiç ka goditur shtyllën nga pika e bardhë.
Kështu, Kukësi nuk ka mundur të fitojë as miqësoren e dytë. Gjatë qëndrimit në Antalia, teksa po kryen fazën përgatitore, skuadra kuksiane ka patur kundërshtar këtë radhë Kairatin e Almatisë. Skuadra kazake ka fituar me rezultatin 1-0 falë golit të realizuar nga Vorogoski.
Por Kukësi ka patur mundësinë të kalojë i pari në epërsi, kur që në 8-të e të takimit, Dvornekoviçi fiton një 11-metërsh. Nga pika e bardhë gjuan Pero Pejiç, por topi godet shtyllën pingule dhe kthehet në lojë. Kazakët të udhëhequr nga Arshavin dhe Bajrazhan dhurojnë spektakël në fushë, por mbrojtja e Kukësit është e pakalueshme.
Trajneri Ernest Gjoka aktivizon edhe Aneikan Fejvër, ish-futbollistin e të rinjve të Milanit, i cili iu bashkua skuadrës gjatë ditëve të qëndrimit në Antalia. Nigeriani ndërmerr disa sulme nga krahu i djathtë por pa mundur të finalizojë. Trajneri Gjoka, në fund të takimit ka mbetur i kënaqur nga loja e skuadrës së tij.
Por ai ka kërkuar nga futbollistët që të jenë më kërkues para portës. Ndeshja e radhës për Kukësin është ajo ndaj Njeftçit të Bakusë.