AlbanianSport.com 09/01/2017 14:20
ASNN – Fitorja në miqësoren e parë të zhvilluar në Antalia ka kënaqur mjaft trajnerit e ri të Kukësit, Peter Pakult. Për më tepër që përballë ka patur një kundërshtar që renditet në vendin e pestë në kampionatin turk, Kajzerisporin. Pakult kërkon të rikthejë mentalitetin e fituesit te kampionët në fuqi të Shqipërisë, por për t’ia arritur kësaj duhet shumë punë e përkushtim në stërvitje.
“Dua t’i kthej bindjen skuadrës se është e fortë dhe mund t’ia dalë”. Kështu është shprehur trajneri i ri i Kukësit pas fitores 2-1 me Kajzerisporin, në miqësoren e zhvilluar në Antalia. E ka nisur me fitore pra debutimin e tij si trajner i skuadrës “kampione” të Shqipërisë, Peter Pakult. Ai ka mbetur i kënaqur me mënyrën e lojës nga futbollistët e tij.
Sidomos kur përballë ka patur një kundërshtar jo të lehtë që renditet në vendin e 5-të në kampionatin turk. Për të parë sa më mirë gjendjen e skuadrës, trajneri Pakult ka aktivizuar përveç titullarëve edhe katër lojtarë të rinj, Sadiku, Ymeri, Shkodra dhe Hallaçi i ri. Ymeri dhe Shkodra janë afruar në merkaton e dimrit, ndërsa dy të tjerë janë të rinj, të cilët në atë ardhmen mund të jenë pjesë e ekipit të parë.
Në fakt, kjo ndeshje dhe gjithë pjesa tjetër e qëndrimit në Antalia do t’i shërbejë trajnerit Pakult për t’u njohur sa më mirë me skuadrën. Ai mendon të ndryshojë gjithçka te skuadra kukësiane duke filluar nga mentaliteti. “Fitorja e parë në Antalia më gëzon dhe më shton besimin se këta futbollistë mund të arrijnë sërish te titulli. Duhet punë dhe sa më shumë përkushtim në stërvitje për t’ia arritur”- ka shtuar Pakult.
Ndërkohë që janë për t’u luajtur edhe disa ndeshje të tjera miqësore në Antalia.