AlbanianSport.com 02/08/2018 15:15
ASNN – Kukësi është mundur 0-3 të mërkurën, në ndeshjen e kthimit në Azerbajxhan përballë Karabagut vendas dhe në pamje të parë, po ta marrësh thjesht si fakt dhënien e tri 11-metërshave brenda një ndeshjeje, duket e pazakontë për një lojë futbolli, sidomos të nivelit të Ligës së Kampioneve. Por e vërteta e hidhur është se kemi të bëjmë me dy nivele gjykimi që në këtë rast janë ai i kampionatit apo futbollit shqiptar dhe Ligës së Kampioneve apo futbollit kontinental në përgjithësi.
Humbja me Karabagun i dha fund aventurës së Kukësit në Ligën e Kampioneve, por nxorri në pah edhe një çështje tjetër që ka lidhje me njërin prej aspekteve më të prekshme të futbollit shqiptar. Duke folur pas ndeshjes, kreu i klubit verilindor, Safet Gjici, u shpreh shumë i zhgënjyer për rezultatin final të takimit dhe për lojën e zhvilluar, ku Frashëri dhe Alla ishin dy lojtarët që, sipas tij, bënë gabime amatoreske. Për presidentin e klubit, Kukësi kishte kundër një gjyqtar, që, sipas tij, ishte lojtari i 12-të i Karabagut.
Në fakt, në pamje të parë, po ta marrësh thjesht si fakt dhënien e tri 11-metërshave brenda një ndeshjeje e, për më tepër, dy të tillëve brenda 5 minutash lojë, duket e pazakontë për një lojë futbolli, sidomos të nivelit të Ligës së Kampioneve. Por, përtej zhgënjimit, me të drejtë, të kreut të klubit kukësian, e vërteta e hidhur është se kemi të bëjmë me dy nivele gjykimi që në këtë rast janë ai i kampionatit apo futbollit shqiptar në përgjithësi dhe Ligës së Kampioneve apo futbollit kontinental në përgjithësi.
Në fakt, gjyqtari Petar Kraloviç gjykon rregullisht në turet eliminatore të Kupave të Evropës, por edhe në ndeshje ndërkombëtare, ndaj cilësohet një bilbil i një kalibri të kënaqshëm. Për më tepër, sllovaku 35-vjeçar ishte i saktë në interpretimin që i bëri rregullores në të 3 rastet e 11-metërshave të dhënë në dëm të Kukësit. Portieri Frashëri ishte shumë larg portës së tij, thuajse në të dalë të zonës së 16-metrave dhe shumë i vonuar në një duel shpejtësi me kundërshtarin.
Po kështu, edhe Albi Alla e preku topin dukshëm me dorë brenda zone, duke i mohuar golin kundërshtarit teksa shkaktoi 11-metërshin e dytë. Po kështu, edhe Maliqi 5 minuta më pas i shkaktoi kundërshtarit humbjen e barazpeshës duke e rrëzuar brenda zone. Me pak fjalë, të gjitha vendimet e gjyqtarit ishin të sakta, por ajo që duhet theksuar është se futbollistët shqiptarë duhet të mësohen me faktin se rregullorja duhet respektuar njëlloj, si në futbollin vendas, ashtu edhe atë ndërkombëtar.
Shpresojmë që të këetë nxjerrë mësime në këtë drejtim edhe Kukësi, që tanimë do ta vijojë aventurën e tij kontinentale në turin e 3-të të Ligës së Evropës, ku e pret fituesja e çiftit Torpedo Kutaisi-Vikingur.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë.