AlbanianSport.com 16.08.2016 15:15
ASNN – Përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë në Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Kjo gjë u bë e mundur pasi Federata e Futbollit të Kosovës u pranua në UEFA dhe FIFA. Presidenti i saj, Fadil Vokrri tregon për Televizionin Shqiptar punën që po bëhet në organizimin e Federatës si dhe për lëvizjet e futbollistëve që kanë zgjedhur të luajnë për Kosovën.
Kështu, Federata Kosovare e Futbollit, prej pak kohësh është pranuar në dy organizmat më të rëndësishëm të futbollit, në UEFA dhe FIFA. Për rrjedhojë, kjo i ka dhënë të drejtën përfaqësueses së Kosovës të marrë pjesë në Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, për Televizionin Shqiptar ka treguar punën që po bëhet në organizimin e strukturave si dhe në përmirësimin e infrastrukturës.
Ai ka folur edhe për lëvizjet e futbollistëve nga përfaqësuesja shqiptare në atë kosovare. Deri tani Herolind Shala, Alban Meha dhe Milot Rashica janë tre futbollistët që kanë konfirmuar se do të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës, duke u larguar nga ajo e Shqipërisë.