AlbanianSport.com 07/09/2019 19:05
ASNN – Trajneri i kampionëve të Evropës, Liverpulit, vlerëson revolucionin e futbollit kosovar. Kosova tanimë është një realitet i prekshëm sportiv dhe për më tepër, edhe futbollistik dhe gjithnjë e më tepër përfaqësuesja e dytë shqiptare në kontinent, po tërheq vëmendjen e më të mëdhenjve të botës.
Pas fitores së arritur me përmbysje në Prishtinë me Republikën Çeke, ka qenë edhe vetë trajneri i kampionëve të Evropës, Liverpulit, Jurgen Klop, ai që ka tërhequr vëmendjen me një status të tij në rrjetin social, ku ai ka tërhequr vëmendjen tek shndërrimi i madh që ka bërë futbolli i Kosovës.
“Nëse më pyesni mua se “Çfarë është futbolli?”, unë do t’ju tregoj juve këtë foto”, – shkruan gjermani i stolit të gjigandes angleze, duke vijuar: “ nuk ka rëndësi se kush je, apo se nga vjen, thjesht puno fort dhe mos u dorëzo kurrë! Kjo është loja e bukur! Respekt!”, – përfundon Klopi.
Natyrisht, ky status i trajnerit të njohur, që është pëlqyer, komentuar dhe ndarë nga mijëra e mijëra njerëz në rrjetet sociale, është një kompliment i madh për futbollin e Kosovës dhe ecurinë e saj të jashtëzakonshme në dy dhjetëvjeçarët e fundit në arenën botërore.