AlbanianSport.com 18.09.2016 22:35
ASNN – “Përtej rezultateve, Shqipëria e basketbollit ka treguar një fytyrë të sajën, si në lojën në mbrojtje, ashtu edhe në atë në sulm”. Kjo është ajo që trajneri i Kombëtares, Antonis Konstandinides, ka vlerësuar më tepër tek skuadra e tij gjatë Eliminatoreve të Evropianit të Basketbollit 2017. Duke folur ekskluzivisht për Televizionin Shqiptar, qiprioti i stolit kuqezi ka bërë edhe një analizë të përvojës së tij me Kombëtaren e koshit të meshkujve.
Shqipëria e basketbollit është rikthyer tek fitorja pas 7 vjetësh në arenën ndërkombëtare, duke mundur të shtunën Sllovakinë 72-65 dhe për trajnerin e kuqezinjve, kjo ishte një fitore domethënëse në shumë aspekte. “Së pari, duhet thënë se kjo fitore ishte e rëndësishme sepse i dha fund një vazhde rezultatesh negative, – ka thënë ai. – Së dyti, ishte e rëndësishme, sepse erdhi në kohën e duhur, pasi, sa më tepër kalon koha, aq më e vështirë bëhet thyerja e kësaj vazhde negative.”
“Së treti, ishte e rëndësishme, pasi erdhi si rrjedhojë logjike e një pune të nisur prej thuajse dy muajsh”, – ka shtuar Konstandinides. Për qipriotin e koshit kuqezi, këto Eliminatore premtojnë një të ardhme më të mirë. “Për mua si trajner, skuadra duhet të ketë fizionominë e saj dhe Shqipëria ime e ka dëshmuar një gjë të tillë, – ka pohuar ai. – Pra, përtej rezultatit, ka treguar një fytyrë të sajën, si në lojën në mbrojtje, ashtu edhe në atë në sulm.”
“Po kështu, skuadra ime ka treguar një kompaktësi si grup, ku lojtarët me përvojë kanë ndihmuar me lojën e tyre, por edhe ku kemi fituar lojtarë të rinj si Shestani, Taflaj, Topalli dhe Dusha, – ka thënë qiprioti. – Me pak fjalë, kjo skuadër premton.” Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Federatën Shqiptare të Basketbollit, të gjitha ndeshjet e Kombëtares kuqezi të koshit u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.