AlbanianSport.com 27.05.2016 13:25
ASNN – Taulant Xhaka dhe Odise Roshi janë futbollistët e radhës që iu janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në qendrën stërvitore në Austri ku po përgatitet Kombëtarja. Xhaka ka pranuar se është mirë fizikisht dhe është gati për të luajtur në Evropian. Ndërsa të dy futbollistët kanë dhënë mendimet e tyre për kundërshtarët e grupit.
Siç dihet, për herë të parë në jetën e tij, Taulant Xhaka do të jetë kundërshtar i vëllait të tij, Granitit, teksa më 11 qershor 2016 do të këndojnë përkatësisht himnin e Shqipërisë dhe atë të Zvicrës. Por, pavarësisht këtij fakti, Taulant Xhaka është i bindur se në zemër ai dhe vëllai i tij do të ndihen njësoj shqiptarë.
“Graniti ka gjak shqiptari dhe unë jam i sigurt se ai do të këndojë brenda tij himnin e Shqipërisë”, – tha në konferencën për shtyp mesfushori energjik i kombëtares kuqezi. I bashkuar me skuadrën vetëm të enjten në mëngjes, Taulanti do t’i nënshtrohet një përgatitjeje speciale gjatë këtyre ditëve.
Por ai shpreson të jetë i gatshëm për ndeshjen me Zvicrën. “Gjendja ime fizike duket e mirë, por mendoj se ende nuk jam në 100% të formës, – ka theksuar ai. – Por besoj se edhe me ndihmën e stafit do të përmirësohem edhe më shumë dhe në ndeshjen me Zvicrën do të jem gati.”
“Jemi vërtetë në një grup të fortë, por unë kam besim se ne i kemi shumë të mira shanset për të arritur kualifikimin”, – u shpreh Xhaka. Ai ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke konfirmuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës zvicerane të Bazelit, me të cilën ka një kontratë që zgjat edhe për 2 vjet të tjera.