AlbanianSport.com 31/08/2021 16:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për sfidën që do të zhvillojë ndaj Polonisë më 2 shtator 2021, ndeshje e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror 2022, ndërsa ditën e hënë është kompletuar i gjithë grupi i lojtarëve. Këtë të martë, në një konferencë për mediat kanë dalë dy futbollistët e ekipit, Myrto Uzuni dhe Albi Doka, të cilët kanë folur për sfidën që i pret ditën e enjte. Sulmuesi kuqezi, Uzuni tregoi se ndihet i lumtur që është pjesë e ekipit Kombëtar, ndërsa theksoi se skuadra do të japë maksimumin në këtë ndeshje të parë ndaj Polonisë, pasi asnjë kundërshtar nuk është i pakalueshëm.
“Të gjithë e dimë rëndësinë e këtyre ndeshjeve, – ka thënë futbollisti i Ferencvaroshit në kampionati hungarez. – Jemi të fokusuar 100% te Polonia, nuk kemi menduar për dy ndeshjet e tjera. Do të japim maksimumin, pasi futbolli na ka treguar se asnjë kundërshtar nuk është i pamundur. Normalisht që kur sulmuesit shënojnë, ekipi ka më shumë besim. Por nuk varet vetëm nga sulmuesit, varet nga të gjitha repartet e ekipit. Duhet të japim maksimumin, duhet të jemi të gjithë së bashku dhe për një qëllim të gjithë, jo kush shënon e kush jo. Unë do të thoja që jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit Kombëtar.”
“Sepse është një ndjenjë e veçantë të përfaqësosh Kombëtaren, kjo është e rëndësishme për mua, – ka vijuar beratasi. – Unë ndihem mirë nëse luaj si në krah, si pas sulmuesit, ose sulmues. Këtë e vendos trajneri.” Duke folur për kundërshtarin e radhës, përfaqësuesen polake, Uzuni tha: “Flasim për lojtarë të nivelit botëror. Polonia ka një ekip shumë të fortë, ka dhe një grup shumë të mirë. Normalisht meritojnë respekt, por asgjë nuk është e pamundur. Mendoj se mund të luajmë me çdo kundërshtar si të barabartë. Është e vërtetë, kur është grupi i njëjtë, ne i dimë të gjitha karakteristikat e çdo lojtari.”
“Dhe kjo e bën grupin më të fortë dhe më të mirë, sepse e njohim më mirë lojtarin, – ka vijuar futbollisti kuqezi. – Kjo është një shenjë e mirë dhe pozitive.” Sa i mundshëm është rezultati pozitiv ndaj Polonisë? “Mendësia ime është mendësi fituesi. Në çdo ndeshje, hyj për të fituar dhe nuk i trembem askujt. Uroj të marrim fitore dhe kjo na ndihmon për të ecur përpara”, – ka përfunduar sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni.