AlbanianSport.com 07/10/2018 20:50
ASNN – “Është shumë e rëndësishme për mua të rikuperoj lojtarët që kemi, sepse ne nuk jemi as Brazili, as Franca, por jemi një skuadër e cila kur është e plotë mund të bëjë shumë, siç edhe ka bërë. Unë jam i bindur te këta djem, dhe me këta 23 futbollistë që kam grumbulluar mund të shkojmë e të fitojmë në Izrael”, – deklaroi ndër të tjera trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Kristian Panuçi, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Durrës, në vigjilje të grumbullimit të skuadrës përfaqësuese për sfidat me Jordaninë (miqësore, 10 tetor 2018, në Elbasan), dhe Izraelin (zyrtare, më 14 tetor 2018 në Biir Sheva).
Sipas trajnerit të skuadrës kuqezi, ai mendon që ndeshja miqësore me Jordaninë do t’i shërbejë për t’u dhënë disa minuta futbollistëve që nuk kanë mundur t’i kenë së fundmi me ekipet e tyre, ku dhe aktivizohen. “Është shumë e rëndësishme për mua, që t’u jap minutat e duhura, lojtarëve që iu mungojnë atyre aktualisht, – tha ai. – Gjimshiti do të ketë minuta, Mavrajt i duhen minuta, Grezdës gjithashtu, si edhe Binakut, pasi së fundmi nuk janë aktivizuar shumë dhe ndaj Jordanisë mund të luajnë, 45, ose 60 minuta, këtë do e vlerësojmë në vazhdimësi. Këtë miqësore duhet që, sidoqoftë, ta fitojmë.”
“Kam një plan specifik, por në mungesë të Roshit e Sadikut, kemi rikuperuar Mavrajn dhe Grezdën, që nuk i kanë minutat, por janë lojtarë shumë të rëndësishëm, – ka zbuluar italiani. – Ndaj Izraelit do të jetë një skuadër shumë e mbledhur, por duhet të luajmë me zemër në fushë, dhe me zjarrin brenda, një gjë që na mungoi në Skoci. Po kaq e rëndësishme është që disa prej lojtarëve (jo të gjithë) më duhet të ma dëshmojnë se çfarë do të thotë të jesh në ekipin kombëtar. Për mua ekipi Kombëtar është maksimalja. Rrini të qetë. Unë mendoj dhe punoj 24 orë në 24 për këtë ekip, dhe mbi të gjitha e respektoj shumë Shqipërinë.”
Seancat stërvitore të skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë nisin ditën e hënë, në orën 16:30, në Durrës.