AlbanianSport.com 13/11/2018 22:05
ASNN – Angazhimi në fushë në ndeshjen e së dielës për Gllasgou Rejnxhërs kundër Madhëruellit, bënë që Eros Grezda të ndjejë lodhje dhe për të mos rrezikuar, ai mungoi në seancën e parë stërvitore të Kombëtares në Durrës.
Natyrisht, nuk bëhet fjalë për dëmtim apo shqetësim serioz, më tepër është siguri për të mos krijuar probleme dhe njëherësh për t’i dhënë kohë sulmuesit të krahut të rikuperojë energjitë e tij.
Në stërvitjen e parë mungoi, për të njëjtat arsye, edhe Ermir Lenjani. Edhe për futbollistin nga Kosova që luan për Sionin, nuk ka probleme, atij thjesht i duhet të rikuperojë energjitë.
Dhe duke qenë se kanë një formë sportive të mirë por delikate, trajneri nuk ka dashur të rrezikojë me ta. Ajo që ra në sy nga stërvitja e parë e Kombëtares ishte fjalimi i gjatë i trajnerit Kristian Panuçi.
Në 15 minuta para lojtarëve shpalosi objektivat, bëri mjaft kritika për të shkuarën dhe njëherësh kërkoi përqendrim nga të gjithë, duke u vënë në pah rëndësinë që ka ndeshja me Skocinë më 17 nëntor, ndeshje që luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve.