AlbanianSport.com 15.06.2016 15:35
ASNN – Sfida Francë-Shqipëri në Euro 2016, flet edhe me gjuhën e statistikave. Francezët kanë fituar 4 nga 6 përballjet e zhvilluara deri me Shqipërinë. Ndërsa kuqezinjtë nuk janë mundur në dy sfidat e fundit. Sot në “Velodrom” nuk do të mungojë si gjithnjë mbështetja e tifozëve kuqezinj për Kombëtaren, pasi do të jenë m shumë se 16 mijë tifozë në stadium.
Franca dhe Shqipëria kanë historikun e vet në përballjet midis tyre. Sipas statistikave përfaqësuesja franceze ka fituar 4 nga 6 ndeshjet e zhvilluara deri tani kundër Shqipërisë. Por duhet theksuar se kuqezinjtë nuk janë mundur në dy sfidat e fundit, madje kanë fituar një e barazuar një tjetër. Fitorja e fundit e shqiptarëve është fiksuar në qershor 2015, pas golit të realizuar nga Ergys Kaçe.
Shqipëria ka shënuar gjithsej vetëm 3 gola në ndeshjet e zhvilluara me Francën. Kombëtarja jonë nuk i ka mundur kurrë francezët në ndeshjet e luajtura në Francë. Madje ka pësuar 9 gola në tre vizitat në fushën e galëve. Ndërsa blutë kanë humbur vetëm një nga ndeshjet e luajtura në Stadiumin “Velodrom” të Marsejës, atë ndaj Argjentinës në 2009.
Edhe pse statistikat flasin në favor të francezëve, shpresat e futbollistëve dhe tifozëve shqiptarë janë për një rezultat pozitiv. Në “Velodrom” të mërkurën në mbrëmje tifozët kuqezinj do të jenë të shumtë. Ashtu si në ndeshjen kundër Zvicrës, edhe në sfidën kundër “Gjelave” përkrahja e tifozëve për djemtë e trajnerit Xhovani De Biazi nuk do të mungojë.
Të paktën 6 mijë tifozë shqiptarë pritet të jenë në Stadiumin “Velodrom” të Marsejës. Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se janë shitur 16 mijë bileta për tifozët shqiptarë për këtë ndeshje. Ndërkohë që një numër i madh i shqiptarëve kanë blerë edhe jashtë sektorit të tribunave të përcaktuara për tifozët kuqezi.