AlbanianSport.com 08/11/2021 20:55
ASNN – Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve gjatë konferencës së të hënës, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, foli edhe lidhje me listën e lojtarëve që ka grumbulluar për këto dy sfida dhe lojtarët e rinj, dhe u ndal edhe te rasti i Kumbullës tek skuadra e Romës. “Kumbulla duhet të përmirësohet në aspektin karakterial, sepse është një moment i vështirë, – ka thënë ai fillimisht. – Ai nuk po kalon moment të mirë te Roma, por eksperienca do ta rrisë dhe të bëjë paraqitje shumë të mira. Mungon Gjimshiti por po flasim për një nga mbrojtësat më të mirë në qarkullim dhe është një mungesë e madhe.”
“Por Kumbulla kur vjen në Kombëtare, e kam parë që është shumë i qetë, ndoshta sepse ka besimin e mjedisit këtu, – ka vijuar italiani i stolit kuqezi. – E kam parë shumë në formë dhe ka bërë ndeshje të mira. Ai luan në një klub te Roma në moshën 20-vjeçare, në Romë ka dhe kritika sepse kam qenë vetë në Romë për disa vite edhe e di se çfarë ndodh atje. Është i ri dhe nuk ka përvojën e duhur për t’u përballur me kritika. Ai duhet të mendojë vetëm të punojë dhe të rritet. Në ndeshjen ndaj Polonisë ka qenë një nga më të mirët për ne, nuk ka gabuar në thuajse asgjë ndaj një lojtari si Levandovski.”
“Ai meriton më shumë, por te Roma ai nuk ka minuta ende, por duhet të tregojë në vazhdimësi ai do ta tregojë që ai vlen dhe se çfarë di të bëjë më mirë në fushë”, – ka thënë Reja, i cili më tej ka folur edhe për besimin edhe për lojtarët e rinj. “Pres shumë nga të rinjtë që kemi në qarkullim në ekipet Kombëtare të moshave që mund të na shërbejnë për projektin tonë, – ka thënë 76-vjeçari. – Siç e dini misioni im ishte të përgatis një skuadër për të shkuar në finalet e Evropianit 2024, të krijoj një ekip konkurrues, të arrij të gjej lojtarë të rinj dhe t’i integroj në skuadër. Janë vlerësime që duhet t’i bëj më vonë, nuk dua të bëj eksperimente në dy ndeshjet e mbetura.”
“Kemi nisur këtë projekt më herët, kemi afruar lojtarë të rinj për të pasur sa më shumë minuta në fushën e lojës, – ka theksuar ai. – Kemi afruar Brojën për të cilin tani nuk mund të themi shumë, pasi e dimë të gjithë cfarë potenciali ka, kam marrë Muçin që është i ri gjithashtu dhe po mendoj t’i jap hapësira në këto dy ndeshje, si titullar apo jo nuk e kam vendosur. Kam marrë Dokën para disa kohësh, dhe e kam aktivizuar në disa ndeshje dhe e kam idenë e qartë se çfarë bën, mora dhe Balliun që nuk luajti dot në këto sfida për fat të keq.”
“Sigurisht në këto dy ndeshje listën e kam ngushtuar pak, pasi kush nuk do të donte të luante me Anglinë në Uembli, do të më vinte keq të shikoja shumë lojtarë në tribunë pasi të gjithë duan të luajnë ndaj Anglisë, por nuk do të luajnë të gjithë. Do të vazhdojmë misionin për t’u kualifikuar në Evropian. Pikërisht për këtë mendoj vazhdimisht dhe po punoj me të rinjtë, vazhdojmë të shikojmë lojtarë që të kemi potencial dhe vazhdojmë të kemi vëmendjen te të rinjtë për të synuar gjëra të mëdha në të ardhmen”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi të futbollit, Edoardo Reja.