AlbanianSport.com 04/10/2021 17:10
ASNN – Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ka dalë sot në konferencë për mediat, ku ka folur për listën e lojtarëve të grumbulluar para dy sfidave me Hungarinë dhe Poloninë, te vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Kreu i stolit kuqezi foli për mungesat e disa lojtarëve për shkak të dëmtimeve si edhe për rikthimet, duke theksuar se është i përqendruar te lojtarët që ka në dispozicion. Reja shprehu bindjen se grupi aktual ofron alternativa për të bërë zgjedhje në çdo repart dhe shtoi se këtë herë do të ketë gati një javë kohë për të parë gjendjen e secilit lojtar.
Sa u takon objektivave, trajneri italian theksoi se është e rëndësishme marrja e një rezultati pozitiv në Hungari për të shpresuar deri në fund ruajtjen e pozicionit aktual në renditje, pra vendin e dytë. Duke folur për rikthimet në mbrojtje dhe mungesat në mesfushë, – ai tha: “Sigurisht janë mungesa të rëndësishme, siç e thatë ju Laçi dhe Abrashi, janë dy lojtarë që kanë cilësi, lojtarë me dinamizëm, që kanë peshë në lojën e skuadrës tonë, por kemi një grup të madh lojtarësh tashmë, kemi zgjidhje të tjera, duhet t’i modifikojmë, përpara këtyre ndeshjeve që janë shumë të rëndësishme.”
“Duhet të theksoj që për mua ka rëndësi të jemi mirë fizikisht, pra kondicioni i duhur fizik është pjesa kryesore para këtyre dy ndeshjeve, – vijoi italiani. – Flasim për Kombëtaren këtu, lojtarët që do të zbresin në fushë duhet të japin maksimumin, kjo është pjesa më e rëndësishme dhe nuk dua të flas për ata që mungojnë, por për ata që kam dhe që të japin maksimumin dhe të bëjnë dy ndeshje të mira.” Po sa pritet të ndikojnë mungesat e Laçit dhe Abrashit? “Kam dy vite që punoj vazhdimisht duke marrë lojtarë të ndryshëm”, – shpjegoi 75-vjeçari.
“Dhe duke ngushtuar gjithmonë grupin e lojtarëve dhe mendoj se kemi alternativat e duhura edhe kur kemi mungesa, – ka vijuar Reja. – Sigurisht, mungesat e Laçit dhe Abrashit janë të rëndësishme, por mendoj se kam lojtarë të tjerë që mund t’i mbushin këto boshllëqe. Kam 4 lojtarë për dy role, kam Çekiçin që po luan shumë mirë në Turqi dhe mund të bëjë shumë mirë. Dikur kam pasur Memushaj në atë rol, por nuk e kam më. Përveç Çekiçit, kemi edhe Bajramin, që na ndihmonnshumë në aspektin sulmues dhe në mbrojtje. Pastaj kemi Baren dhe Gjasulën, dy lojtarë që luajnë rregullisht dhe kanë minuta në këmbë.”