AlbanianSport.com 25/03/2022 17:10
ASNN – Shqipëria përballet të shtunën në mbrëmje me Spanjën, në takimin që do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Trajneri Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, dhe kapiteni Elseid Hysaj, kanë dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes miqësore që Shqipëria do të luajë nesër në mbrëmje në orën 19:45 në Barcelonë ndaj Spanjës. Reja vlerësoi forcën e kundërshtarit dhe u shpreh se kuqezinjtë i kanë cilësitë për t’i surprizuar kundërshtarët dhe se skuadra duhet të qëndrrojë kompakte për të arritur një rezultat të mirë.
“Futbollin spanjoll e njohim dhe e vlerësojmë sepse ka luajtur gjithmonë mirë me topin, – ka thënë ai fillimisht. – Ka një filozofi të veҫantë dhe dua t’i bëj komplimentat e mija Luis Enrikes sepse është duke bërë një punë shumë të mirë prej 4 vitesh. Unë e kam njohur që nga koha kur ishim në Romë që të dy, ai te Roma dhe unë te Lacio. Ai ishte pak më i ri dhe unë disi më ekspert. Mua më ka shkuar mirë sepse kam fituar dy herë derbin, atij disi më keq, sepse humbi. Por ndërkohë e kam thënë dhe i kam uruar që të bënte një karrierë të madhe e kështu ndodhi. Kjo sepse përpara se të vinte në Romë kishte stërvitur Barcelonën B, ishte i ri akoma.”
“Ndërkohë që më mbrapa u bë një trajner i madh, por mbi të gjitha një njeri i madh që meriton vlerësimin tim të madh, – ka vijuar italiani i stolit kuqezi. – Nesër vlen loja apo rezultati? Si loja ashtu edhe rezultati. Nuk mund të ndahen dot. Dua që të dal nesër nga ky stadium me një paraqitje shumë të mirë. Të mos përsërisim më paraqitje si ajo me Anglinë dhe Francën më parë. Do të më pëlqente të jemi konkurrues përtej rezultatit, që ka një rëndësi relative, sepse është një ndeshje miqësore. Do të më pëlqente të bënim një ndeshje të mirë sepse siҫ kam thënë këto janë përvoja që do na shërbejnë sepse luajmë kundër një skuadre të madhe.”
“Do të shikojmë se në ҫfarë niveli kemi arritur, – ka theksuar 76-vjeçari. – Kam ndjesinë që po përmirëohemi sa më shumë kohë kalojmë bashkë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Ne duhet të bëjmë eksperiencë ndaj skuadrave të mëdha sepse kemi luajtur më parë ndeshje të tilla, si me Republikën Ҫeke, Uellsin, Poloninë e kemi bërë mirë ndaj Hungarisë, kështu që kjo rritje duhet të vazhdojë. Këto janë ndeshje që shërbejnë për të kuptuar se në ҫfarë pike kemi arritur. Nëse jemi konkurrues, nëse jemi më pak konkurrues apo nëse jemi përmirësuar. Këto janë përvoja të rëndësishme”, – ka përfunduar Reja.