AlbanianSport.com 21/03/2021 21:40
ASNN – Ndeshja e parë e Shqipërisë në kuadër të grupit të saj në Eliminatoret e Botërorit 2022është me Andorrën, një ndeshje delikate për pasi në letër është ndër kundërshtarët më pak të fortë. Si ka menduar trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja ta zgjidhë në favorin e kuqezinjve këtë ndeshje? “Me Andorrën kemi pasur një përvojë të keqe, e cila nuk duhet ne asnjë mënyrë të përsëritet, – ka pohuar ai. – Për ne kjo është ndoshta ndeshja më e rëndësishme në këtë moment dhe më pas do të mendojmë për të tjerët.”
“Duhet të mendojmë për këtë ndeshje, kemi pasur precedentë negativë, por nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, mbi të gjitha për një skuadër kombëtare si e jona nuk duhet t’i lejojë vetes në asnjë moment një rënie përqendrimi, – ka vijuar veterani. – Kemi parë së fundmi edhe eksperiencat e skuadrave të forta si Real Madrid, apo skuadrat angleze në Ligën e Kampioneve, të cilat nuk shpërqendrohen asnjëherë dhe nuk nënvlerësojnë për asnjë moment. Diferencën e bën përqendrimi, shpirti i skuadrës dhe dëshira për të bërë ndeshjen kushdo qoftë kundërshtari. Nuk duhet të ketë ulje të përqendrimit.”
“Kjo duhet të jetë dhe mendësia jonë, aq më tepër tani që morëm dhe një kënaqësi siç ishte ai i ngjitjes një kategori më lart në Ligën e Kombeve, por tani kemi një përgjegjësi e madhe sepse në Ligën B do të gjejmë skuadra më të forta, – ka vijuar kreu i stolit kuqezi. – Në këtë këndvështrim duhet të jemi të fortë edhe ne, mbi të gjitha në aspektin karakterial dhe në aspektin e përqendrimit. Sepse këto janë elementët që bëjnë dallimin.” Në fakt, kur u hodh shorti i Botërorit 2022 në dhjetor të 2020-ës, trajneri pati folur për rivalët dhe për objektivat e Shqipërinë.
Por duke parë tani listën e lojtarëve që kemi në dispozicion dhe formën e tyre, cili është parashikimi Rejës dhe a është ai edhe më optimist? “Dëshira dhe bindja ime është që vetë lojtarët janë pjekur, tani njihemi edhe më mirë, pavarësisht problemit të “Covid-19”, që na ka penguar të punojmë si duhet, kemi pasur vështirësi, por edhe disa futbollistë luajnë të mërkurave, të dielave, të martave në mbrëmje apo të shtunave, nuk kanë asnjë ditë pushim, – përgjigjet 75-vjeçari. – Për shembull, Gjimshiti ka luajtur rreth 2 mijë minuta, është gjithmonë në fushë.”
“Dhe të tjerë në Serinë B që luajnë pa pushim çdo tre ditë, – vijon Reja. – Sidoqoftë, kjo u ka dhënë një formë fizike të mirë, tani lojtarët do kenë 3-4 ditë më të qeta dhe do të vijnë në kushte të mira. Por duhet punuar mirë, sepse jam i bindur që do të kemi mundësi të bëjmë edhe një vlerësim mbi rritjen tonë, pasi kur të luajmë ndaj Hungarisë dhe Polonisë, që janë skuadra të forta, po kalojnë një moment të mirë, aty duhet të tregojmë veten. Sigurisht me Andorrën nuk duhet të humbasim përqendrimin për asnjë çast, por ndaj skuadrave të këtij niveli do të tregojmë realisht se sa jemi rritur. Këto janë skuadra që mund të na japin një vlerësim real të nivelit ku kemi arritur.”