AlbanianSport.com 30/08/2021 20:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar të hënën një seancë stërvitore në Varshavë në kuadër të ndeshjes ndaj Polonisë, që luhet më 2 shtator 2021. Seanca u zhvillua në stadiumin e skuadrës së Polonias së Varshavës dhe në të morën pjesë thuajse të gjithë lojtarët me përjashtim të Marash Kumbullës, i cili është bashkuar në mbrëmje me grupin.
Zyra e Shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), bën të ditur se i gjithë programi stërvitor u zhvillua në reshjet e vazhdueshme të shiut, ndërkohë që lojtarët u impenjuan në ushtrime taktike, duke provuar vendosje të ndryshme në fushë. Me ekipin është bashkuar sot edhe debutuesi Ernest Muçi, i cili ka qenë i impenjuar me klubin e Legias së Varshavës në një ndeshje në fushë të huaj të dielën në mbrëmje.
Për këtë arsye Muçi është stërvitur veçmas me përgatitësit atletikë për një pjesë të seancës. Sipas burimeve pranë ekipit kuqezi, situata është e qetë dhe grupi është në gjendje të mirë, pasi nuk ka asnjë problem me dëmtimet. Kuqezinjtë do të vijojnë sipas programit stërvitor edhe ditën e martë, ndërkohë që të mërkurën do të zhvillojë seancën zyrtare stërvitore një ditë para sfidës me polakët.