AlbanianSport.com 25.08.2017 21:00
ASNN – Trajneri i ekipit kombëtar, Kristian Panuçi ka bërë publike sot listën e lojtarëve që do të grumbullojë për dy takimet eliminatore të fillimshtatorit, në Elbasan me Lihtenshtejnin dhe në Strumica me Maqedoninë. Italiani ka afruar 3 emrat e rinj në përfaqësuese, por ka lënë jashtë njëkohësisht disa emra të njohur, për shkak të formës jo të përshtatshme që po kalojnë.
Në grumbullimin e tij të parë me ekipin kombëtar, që pas marrjes së detyrës, trajneri Kristian Panuçi ka thërritur edhe lojtarë që në skuadrën përfaqësuese vijnë për herë të parë, në një kohë që gjatë gjithë kësaj periudhe ka vëzhguar një pjesë të mirë të lojtarëve në takimet zyrtare, apo miqësore që ata kanë luajtur me skuadrat ku dhe luajnë.
Lista zyrtare e ekipit kombëtar është bërë publike të premten, në një kohë që për emrat, si dhe për çdo interesim tjetër rreth ekipit kombëtar, Panuçi do të dalë përpara mediave, ditën e hënë në orën 11.00 në selinë e FSHF-së. Ivan Balliu, Hysen Memolla dhe Valon Ahmedi janë tre emrat e rinj në listë, pasi trajneri ka ndjekur ecurinë tyre në kohët e fundit dhe është gati t’u japë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre edhe me fanellën kuqezi.
Por njëkohësisht, ai ka vendosur të mos grumbullojë për këtë ndeshje Taulant Xhakën, Ergys Kaçen, Shkëlzen Gashin dhe Naser Alijin, me këtë të fundit që është i vetmi “i justifikuar” për shkak të një dëmtimi të pësuar që e ka lënë jashtë fushave të lojës. Mungesë e paparashikuar është ajo e Ermir Lenjanit, i cili së fundmi kishte filluar të aktivizohej rregullisht me Sionin në kampionatin zviceran të futbollit.
Jashtë mbetet edhe Bekim Balaj, i cili ka qenë i dëmtuar së fundmi dhe nuk është në formën më të mirë. Në dy takimet zyrtare eliminatore, Shqipëria përballet më datë 2 shtator 2017 në Stadiumin “Elbasan Arena” me Lihtenshtejnin, ndërsa 3 ditë më pas, më 5 shtator 2017, ndeshet me Maqedoninë në Strumica.