AlbanianSport.com 07.06.2016 07:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në Francë. Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Xhovani De Biazi dhe stafit të tij kanë kryer një stërvitje të bazuar në anën taktike. Sipas programit, deri të shtunën që luhet ndeshje me Zvicrën, Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë dy seanca stërvitore në ditë.
Kombëtarja shqiptare fillon zyrtarisht aventurën franceze në Euro 2016. Të hënën pasdite, kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Xhovani de Biazi kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore. “Iv Zhany” është impianti që do të mirëpresë të gjitha seancat stërvitore të kombëtares kuqezi.
Stadiumi është i mbuluar dhe nuk lejon që të shihet asgjë nga jashtë. 12 forca speciale dhe 15 oficerë sigurie francezë kanë qenë në qendrën stërvitore në ruajtjen e sigurisë së Kombëtares shqiptare. Ndërsa 5 efektivë specialë të policisë shqiptare do të jenë gjithnjë pranë stafit dhe futbollistëve.
Ka qenë një kërkesë e ministrisë së mbrojtjes së Francës drejtuar homologes së saj në Tiranë, për të sjellë në Francë 5 efektivë. Kjo kërkesë u është bërë të gjitha shteteve pjesëmarrëse në “Euro 2016”. Seanca e parë stërvitore kuqezinjve ka qenë e bazuar te taktika. Sipas programit të publikuar më parë, kuqezinjtë deri të shtunën, në ndeshjen me Zvicrën, do të zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë.