AlbanianSport.com 09/11/2021 18:40
ASNN – Kuqezinjtë, të plotë në dispozicion të trajnerit Reja, sulmuesi i ri, ende tek Sauthemptoni. Kombëtarja kuqezi ka vijuar të martën përgatitjet për dy ndeshjet e Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, atë ndaj Anglisë dhe atë ndaj Andorrës. Të drejtuar nga trajneri Edoardo Reja dhe stafii i tij teknik, lojtarët kanë zhvilluar pasdite në kompleksin e tyre stërvitor në Durrës seancën e dytë stërvitore. Sipas burimeve pranë skuadrës kuqezi, mësohet se në seancën stërvitore të së hënës kanë marrë pjesë pothuajse të gjithë lojtarët e ftuar për këto dy sfida. Kështu, të fundit që i janë bashkuar kontingjentit kuqezi kanë qenë mbrojtësi Marash Kumbulla dhe sulmuesi Bekim Balaj, ashtu sikundër ka bërë edhe portieri Thomas Strakosha.
Ky i fundit nuk ishte stërvitur me grupin të hënën, për shkak të një shqetësimi në gju dhe u ishte nënshtruar testeve mjekësore të mëtejshme për të përcaktuar gjendjen e tij. Por të martën ai ka marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor i Kombëtares, duke u rikthyer në stërvitje me grupin. Me skuadrën nuk ka qenë të martën vetëm sulmuesi i Çellsit, i huazuar tek Sauthemptonit, Armando Broja. Ai pritej të mbërrinte të martën në Shqipëri, por burime pranë Kombëtares kanë pohuar për RTSH Sport se klubi i tij anglez ka preferuar ta mbajë edhe për të martën.
Kjo sepse futbollisti kuqezi u është nënshtruar disa testeve mjekësore për shkak të një dëmtimi që ka pësuar në ndeshjet e Premier Ligës Angleze. Në rast se sulmuesi i ri nuk do të vijë as ditën e mërkurë, ai do t’i bashkohet Kombëtares në Londër, kur kuqezinjtë të udhëtojnë atje të enjten për ndeshjen e së premtens me Anglinë. Skuadra do të vijojë të mërkurën me përgatitjet teksa ekipi kuqezi do të zbresë në ora 15:00 në fushë për stërvitjen e radhës.