AlbanianSport.com 14/11/2024 21:15
ASNN – Liga e Kombeve të Evropës, Kombëtarja zhvillon seancën stërvitore në ditën e 4-t të përgatitjeve para sfidës ndaj Çekisë. Kështu, Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e së enjtes seancën e radhës stërvitore në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të grupit B1 në Ligën e Kombeve, ndaj Çekisë dhe Ukrainës.
Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), bën me dije se në stërvitjen e së enjtes ishin të pranishëm të gjithë lojtarët, ndërsa Ernest Muçi u stërvit fillimisht i veçuar dhe më pas u bashkua me grupin. Seanca e pasdites nisi me stërvitje në palestër e më pas trajneri, stafi teknik dhe ekipi zbritën në fushë për të bërë përgatitje atletike dhe taktike.
Kombëtarja do t’i mbyllë të premten përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Çekisë. Sipas programit të hartuar, konferenca zyrtare e trajnerit Silvinjo do të mbahet në orën 17:45, në sallën e konferencave të Stadiumit “Arena Kombëtare” në kryeqytet, dhe më pas do të vijohet me stërvitjen zyrtare të ekipit në fushën e blertë, duke nisur nga ora 18:30, që do të jetë e hapur 15 minutat e para për median.