AlbanianSport.com 10/10/2021 17:10
ASNN – Mesfushori kuqezi, Klaus Gjasula është shprehur i kënaqur pas fitores së rëndësishme ndaj Hungarisë në Stadiumin “Pushkash Arena” të Budapestit, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Botërorin “Katar 2022”. Mesfushori u shpreh se kjo fitore shkon për Berat Gjimshitin i cili la fushën e lojës në minutën e 30-të, pasi theu dorën në një përplasje me Berishën dhe Ismajlin.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme, kartoni i verdhë nuk më intereson fare, mjafton që fituam, – ka thënë ai. – Ndeshja me Poloninë një finale për ne. Duhet t’ia dalim. Rasti i humbur? Gjuajta, e zura mirë, do të kisha bërë golin e parë, do të ishte shumë i rëndësishëm, sepse ka dhe vajza ditëlindjen, do t’i dedikohej asaj.” Më tej, ai e ka zhvendosur vëmendjen tek sfida e së martës.
“Me Poloninë do të jetë ndeshje afërsisht si sonte, e rëndësishme është të mos pësojmë gol, – ka theksuar ai. – Do të krijojmë raste sepse kemi cilësi dhe do të shënojmë. Me tifozët në krah, do të tregojmë veten tonë. Jam i lodhur, kemi dhe ca ditë, por do të jemi të rikuperuar. Kjo fitore ishte për Gjimshitin. Ka thyer dorën. Na erdhi shumë keq, është lojtar shumë i rëndësishëm, tani është në spital. Jemi me ty, gjithë të mirat”, – përfundoi Gjasula.