AlbanianSport.com 06/10/2021 23:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar këtë të mërkurë seancën e radhës stërvitore në kampin e saj në Durrës, ku ndodhet që prej ditës së diel, në kuadër të dy sfidave ndaj Hungarisë dhe Polonisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja kanë zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë të mërkurën.
Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) bën me dije se i gjithë grupi, përveç sulmuesit Bekim Balaj, ka qenë dispozicion të trajnerit Reja, me lojtarët që gëzojnë formë të mirë fizike. Balaj nuk është stërvitur ditën e mërkurë me ekipin, pasi ndjen një shqetësim në muskujt e kofshës.
Për rrjedhojë, ai u është nënshtruar vizitave mjekësore, që do të vendosin nëse shkodrani do të jetë apo jo i gatshëm për ndeshjen e parë ndaj Hungarisë. Ndërsa mbrojtësi Ardian Ismajli është stërvitur rregullisht me grupin. Kujtojmë se mbrojtësi kuqezi, Erjon Hoxhallari është larguar nga grumbullimi të martën për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Ekipi shqiptar do të zhvillojë edhe nesër normalisht stërvitje pasdite sipas programit të paracaktuar, teksa ditën e premte do të niset drejt Hungarisë, ku më 9 tetor 2021 do të luajë ndeshjen e rëndësishme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, atë ndaj përfaqësueses vendëse.