AlbanianSport.com 18.06.2016 21:55
ASNN – Ekipi ynë kombëtar ka udhëtuar sot drejt Lionit, ku do të luajë të dielën takimin e fundit në kuadër të grupit A të Evropianit “Francë 2016”, atë kundër Rumanisë. Sipas axhendës së bërë të ditur paraprakisht, Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi ka kryer sot pasdite stërvitjen e fundit në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja, në “Stadë dë Lion”.
Ndërkohë, për trajnerin e Kombëtares, skuadra ka reflektuar në fushën e lojës çdo këshillë që ai ka dhënë për të arritur te rezultati pozitiv, por episodet janë ato që e kanë dëmtuar ekipin në dy ndeshjet e para të Evropianit. Në konferencën për shtyp përpara sfidës kundër Rumanisë, 60-vjeçari i stolit kuqezi e pranon se fati dhe mungesa e eksperiencës kanë qenë vendimtare në dy sfidat e para.
“Besoj se në këtë turne djemtë kanë bërë gjëra shumë të mira por kemi paguar për shkak të gabimeve të vogla dhe nuk kemi qenë me fat”, – ka thenë ai, duke vijuar: “Jemi gjendur ne situata kur mund të shënonim por na ka munguar gjakftohtësia për të finalizuar atë që kemi ndërtuar.” Në vijim, ai e bëri të qartë se në ndeshjen e fundit të grupit, do të bëjë ndryshime të vogla në aspektin taktik, pasi ashtu siç e theksoi që në hyrje, skuadra ka treguar se mund të luajë si e barabartë me çdo kundërshtar.