AlbanianSport.com 03.06.2016 13:40
ASNN – Shqipëria luan sot në mbrëmje miqësoren me Ukrainën. Një ndeshje-test për trajnerin De Biazi dhe vetë futbollistët, në prag të finaleve të Evropianit “Francë 2016”. Ndaj Ukrainës do të luhet me skemën 4-5-1, ashtu si përgjatë gjithë ndeshjeve të fazës eliminatore. Miqësorja me Ukrainën është testi përfundimtar përpara fazës finale të Evropianit “Francë 2016”.
Ndaj trajneri Xhovani De Biazi ka vendosur të luajë me ata futbollistë të cilët nuk u aktivizuan në miqësoren me Katarin. “Në ndeshjen me Ukrainën do të luajnë ata lojtarë që nuk luajtën me Katarin, – ka thënë ai. – Dua t’i provoj të gjithë. Lojtarët vijnë nga përfundimi i një kampionati të gjatë dhe me shumë ngarkesë, megjithatë gëzojnë formë të mirë.”
“Sidoqoftë, të dalë rezultati i ndeshjes me Ukrainën, unë jam i bindur se futbollistët do të dinë ta përballojnë atë, – ka vijuar trajneri italian i kuqezinjve. – E di gjendjen e lojtarëve, psikologjinë e gjithsecilit dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë ata. Prandaj rezultati i ndeshjes me Ukrainën nuk besoj se do të ndikojnë në aspak në psikologjinë e tyre për ecurinë në Evropian.”
Ndërsa për Veselin, lojtar i shumëdiskutuar për përfshirjen në 23-she, De Biazi përgjigjet: “Veseli ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm. Për arsye burokratike nuk ka qenë pjesë e skuadrës më parë. Për karakteristikat që ka, është një futbollist i rëndësishëm, si për tani, ashtu edhe për të ardhmen e Kombëtares sonë. Është një investim i rëndësishëm.”
Ndeshja Shqipëri-Ukrainë do të luhet sot në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:30 në Bergamo dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizonit Shqiptar.