AlbanianSport.com 26/05/2018 15:30
ASNN – Miqësorja Shqipëri-Kosovë është programuar të luhet më datë 29 maj 2018, në stadiumin e qytetit të Zyrihut, duke nisur nga ora 20:00. Dhe sot, në konferencën e përditshme për shtyp, kanë dalë para mediave dy sulmuesit kuqezi, Sokol Cikalleshi dhe Rei Manaj. Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon grumbullimin e saj në Zyrih, në përgatitje për takimin e parë miqësor me Kosovën dhe për sulmuesin Sokol Cikalleshi, thirrja kuqezi është gjithnjë privilegj.
“Të jesh pjesë e Kombëtares është gjithmonë kënaqësi dhe nder, – ka thënë ai. – Për mua është gjithmonë si të kem ardhur për herë të parë. Me trajnerin ndihemi mirë dhe po punojmë në stërvitje taktike, gjë që do të na ndihmojë në ndeshjen me Kosovën. Ne bëjmë punën tonë, duke bërë më të mirën në stërvitje, pastaj është trajneri ai që vendos për formacionin. Gjithmonë ka pasur ndryshime. Për mua dhe sulmuesit e tjerë ne jemi të gatshëm për çdo situatë, pastaj varet nga zgjedhjet e trajnerit.”
“Në lidhje me ardhjet e reja si Abazaj e Guri, ata janë talente që do t’i shërbejnë ekipit, kanë shumë potencial dhe do të bëjnë më të mirën”, – shtoi kavajasi. Për 27-vjeçarin, miqësorja mbetet sidoqoftë një ndeshje futbolli për t’u fituar. “Sfida e së martës me Kosovën është disi më interesante, por do të jetë e luftuar në fushë, – tha ai. – Uroj të marrim rezultat pozitiv. Pastaj kemi Ukrainën, ekip disi më i fortë. Jemi ndeshur me këtë skuadër para Europianit dhe na mundi.”
“Do të jetë test i mirë për trajnerin, por edhe për ne lojtarët, për të parë se ku jemi”,- theksoi Cikalleshi. Edhe për sulmuesin tjetër, Rei Manaj, kjo miqësore është e rëndësishme për Kombëtaren. “Fillimi i ri për mua duhet të jetë nga shtatori, – tha ai. -Duhet të përgatitemi fort për këto dy ndeshje miëqore, sepse janë të rëndësishme jo pak. Nuk them dot se me Kosovën do të jetë më e lehtë, por çdo futbollist dëshiron të fitojë.”
“E mendoj shpesh golin me Kosovën pas 10 sekondave në fushë, por duhet të shohim përpara, – këmbënguli Manaj. – Në mosgrumbullimin tim në kombëtare kanë ndikuar disa faktorë, dhe unë respektoj dhe do të respektoj gjithmonë zgjedhjet e trajnerëve. Unë do të mundohem të bëj më të mirën, sic kam dhënë maksimumin edhe te ekipi i Shpresave, apo edhe më përpara te Nën-19-vjeçarët. Po kështu edhe tani në Kombëtaren e të rriturve.”
Sulmuesi Cikalleshi, i cili është pjesë e skuadrës turke të Osmanllësporit, që ka rënë nga kategoria, mendon se për sezonin tjetër do të mbetet sidoqoftë në Superligën turke, por zgjidhja duhet të jetë në dobi të klubit aktual. Ndërsa Manaj nuk po mendon për momentin për të ardhmen. Miqësorja Shqipëri-Kosovë do të luhet në mbrëmjen e 29 majit 2018, në stadiumin e Zyrihut.