AlbanianSport.com 06/10/2021 22:25
ASNN – Kuqezinjtë Myrto Uzuni dhe Keidi Bare u shprehën të martën gjatë konferencës për shtyp në Durrës se do të futen në fushë për fitore, duke u ndalur fillimisht te ndeshja e parë me Hungarinë që do të luhet në Budapest, ndërsa më pas ndaj Polonisë në Tiranë, në Stadiumin “Arena Kombëtare” Edhe Bare, futbollisti kuqezi që luan në La Ligën spanjolle, në radhët e Espanjolit foli për dy ndeshjet e radhës, për skuadrën kuqezi, marrëdhënien me trajnerin Reja si dhe për formën e mirë që po kalon tek ekipi spanjoll. Ai theksoi në fjalën e tij se pikësynimi i kuqezinjve është vendi i dytë.
“Natyrisht që po, por në Kombëtare vij gjithmonë me shumë siguri pasi kam besimin te lojtarët e tjerë dhe te trajneri, – ka thënë lushnjari. – Tek Espanjoli po shkojnë gjërat shumë mirë siç e keni parë, kam luajtur rregullisht dhe shpresoj që të vazhdoj kështu. Ka të bëjë shumë ekipi, pasi me Kombëtaren është sistem tjetër dhe luaj në rol tjetër, ndërsa me klubin kam sistem tjetër dhe roli im është para mbrojtjes. Jam më shumë në kontakt me topin, por për mua është njësoj, jap maksimumin si këtu edhe tek Espanjoli.” Në vijim, mesfushori me tipare sulmuese është pyetur se ku ndjehet më mirë, tek roli në Kombëtare apo tek Espanjoli.
“Ndihem mirë në shumë role, e rëndësishme është të jem në fushë dhe të jap maksimumin. Jam si një ushtar që zbatoj rregullat, si këtu, edhe tek Espanjoli, – ka thënë ai. – E vështirë për të luajtur në La Liga? Kam luftuar dhe punuar shumë për të arritur këtu ku jam. Nuk është e lehtë që një shqiptar të arrijë në këto nivele, por më e rëndësishmja është që të vazhdoj me këtë ritëm. Për të arritur mund të arrijë çdo lojtar, por për të qëndruar dhe për të kaluar më lart është pak më e vështirë. Me punë dhe seriozitet arrihet çdo gjë.” Më tej, Bare ka folur edhe për niveli i skuadrës kuqezi.
“Kombëtarja e sotme po zhvillon ndeshje shumë të mira dhe shpresoj që edhe ndeshjet në vazhdim të bëjmë të njëjtën gjë, – ka theksuar ai. – Pikësynimi ynë është të arrijmë vendin e dytë dhe pse jo të mos shkojmë në Botëror. Këto gjëra duan përqendrim dhe të bëjmë gjërat mirë dhe ato që na thotë trajneri. Besoj se do ia arrijmë qëllimit, pavarësisht se janë ndeshje shumë të vështira. Sa i përket marrëdhënies me trajnerin Edoardo Reja, do të thoja që ai më ka mësuar shumë, si të vendosem në fushë, si të vrapoj me dhe pa topin.
“Dhe ndihem shumë mirë me “Misterin”, por nuk është vetëm ai, por i gjithë grupi që kemi. Shpresoj të vazhdojmë me këto ritme dhe i them “Misterit” shumë faleminderit. Nuk dua të them se sa pikë parashikoj në këto dy ndeshje por dua të them që do të futemi në këto ndeshje për të fituar dhe për të arritur qëllimet tona”, – ka përfunduar futbollisti i Espanjolit dhe i Kombëtares, Keidi Bare.