AlbanianSport.com 23.06.2016 17:00
ASNN – Një pritje e denjë për një Kombëtare që ka shkruar historinë e sportit shqiptar. E tillë ishte ajo që i ishte rezervuar sot delegacionit kuqezi që përfaqësoi me aq dinjitet Shqipërinë në Kampionatin e 15-të Evropian të Futbollit. Kështu, Kombëtarja kuqezi është kthyer të enjten në atdhe, pas mbylljes së aventurës në Evropian, duke u pritur me të gjitha nderimet e rastit.
Pas pritjes nga Kryeministri Rama në Aeroportin e Rinasit, përfaqësuesja kuqezi ka udhëtuar drejt kryeqytetit me një autobuz të hapur, një risi kjo për sportin shqiptar. Stacioni i parë i ndalesës së karvanit kuqezi ka qenë Bashkia e Tiranës, ku kryebashkiaku Erjon Veliaj i ka dhënë Kombëtares simbolin e kryeqytetit, “Çelësin e Tiranës”, duke vlerësuar arritjen e Shqipërisë në këtë Evropian.
Më pas, delegacioni kuqezi, i udhëhequr nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri Xhovani De Biazi dhe kapiteni Lorik Cana, ka qenë mysafire në mjediset e Ministrisë së Jashtme. Më pas, sipas propozimit të bërë më herët publikisht nga Kryeministri Rama, anëtarët e delegacionit kuqezi kanë bërë procedurat e pajisjes me pasaportë diplomatike.