AlbanianSport.com 31.05.2016 19:35
ASNN – Entuziazmi dhe harmonia janë dy faktorë pozitivë që po mbizotërojnë në grupin e futbollistëve të kombëtares shqiptare, të grumbulluar në Austri. Bazuar në këto cilësi, Arlind Ajeti dhe Ansi Agolli, dy futbollistët që kanë folur të martën në konferencë për shtyp, mendojnë se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të kaluar grupin në Evropianin francez.
“Harmonia është shumë e mirë, – ka theksuar ai. – Këtu në Kombëtare jemi si në familje, të gjithë jemi të kënaqur. Nuk jemi vetëm bashkëlojtarë, por edhe miq. Shumë kohë e shfrytëzojmë bashkë. Është gjithmonë kënaqësi të jesh në Kombëtare.” Ajeti e nisi si titullar miqësoren e 29 majit dhe, ashtu si lojtarët që do të udhëtojnë drejt Francës pretendon një vend në 11-she, edhe pse në fund do të pranojë çdo vendim të trajnerit.
“Sigurisht në repartin e mbrojtjes, janë të gjithë lojtarë me vlera dhe shumë të rëndësishëm, – ka thënë ai. – Në fund është trajneri ai që vendos se cili do të luajë dhe cili do të qëndrojë në stol apo tribunë. Unë po përgatitem për të dhënë më të mirën time.” Më pas mbrojtësi i qendrës bëri një koment të shkurtër në lidhje me golin e shënuar kundër Katarit.
“Padyshim që goli më gëzoi, duke qenë se ne mbrojtësit nuk është se jemi shumë të familjarizuar me të”, – tha lojtari i Frosinones, autori i golit që riktheu barazinë e përkohshme në rezultat përballë Katarit, ndërsa garantoi se problemi i golave të shpejt të pësuar nuk do të përsëritet në Evropian, duke shtuar: “Do të isha më i kënaqur, nëse nuk do të gabonim, siç ndodhi në rastin e golit të pësuar në çastet e para të ndeshjes.”