AlbanianSport.com 02/01/2018 13:15
ASNN – Me një vazhdë prej 9 javësh pa shijuar fitoren, që nga ai triumf premtues, por i vetëm i javës së parë në Gjirokastër ndaj Kastriotit, por, për më tepër, me plot 8 humbje të pësuara, nga të cilat 5 të fundit radhazi dhe me një trajner të ri në timon, kjo ishte koha më e papërshtatshme për Kastriotin për t’u përballur me Skënderbeun.
Në atë që është një sfidë skajesh e javës së 11-të të këtij sezoni të Kategorisë Superiore, krutanët e vendit të fundit të renditjes përballen me korçarët e vendit të parë në një sfidë të kundërtash në çdo aspekt. Skënderbeu, që vjen pas asaj fitoreje karakteri me Partizanin në kryeqytet, ka sulmin dhe mbrojtjen më të mirë, me 15 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar.
Kjo vihet përkundër sulmit dhe mbrojtjes më të keqe të kampionatit, Kastriotit, që ka shënuar vetëm 5 gola në 10 ndeshje, duke pësuar 4-fishin, plot 20 gola. Sikur të mos mjaftonte kjo, trajnerit Stavri Nica i duhet të bëjë në vizitën e vështirë të Korçës pa një titullar të rëndësishëm si Sokol Mziu, i cili ka pësuar një dëmtim muskulor në stërvitje dhe do të mungojë me afat të pacaktuar.
Gjatë mini-ndeshjes së provës në stërvitjen e së enjtes, Nica ka aktivizuar Ersil Ymerajn në mesfushë, ndërkohë që është në pikëpyetje edhe vazhdimësia e mesfushori spanjoll Pablo Gajego tek Kastrioti, pasi ai nuk është përfshirë në asnjërin prej 11-she të ndeshjes së provës të enjten.