AlbanianSport.com 12/03/2024 19:20
ASNN – Kastriotët janë shpallur “kampione” e “FSHF Cup”, pasi triumfuan në finale ndaj ATS me rezultatin 2-3. Sfida e zhvilluar mbrëmjen e të hënës në Kompleksin “Football Republic” në periferi të Tiranës ishte e luftuar deri në sekondat e fundit dhe dhuroi emocione të shumta. Sfida nisi më mirë për Kastriotët që zhbllokuan takimin që në minutën e 8-të me Ergys Sorrën.
Kaq mjaftoi për pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë sërish Kastriotët gjetën rrugën e rrjetës dhe dyfishuan rezultatin me të njëjtin lojtar, Ergys Sorra. Në minutat në vijim, ATS ngushtoi diferencën me Lorenc London, por Kastriotët shënuan edhe të 3-tin me Jahmir Hykën. Në fundin e takimit ATS shënoi edhe golin e dytë me Xhuljano Reçin duke rihapur takimin.
Por pa sukses pasi gjithçka përfundoi 2-3 për Kastriotët, që fituan FSHF Cup për herë të parë në histori. Në përfundim të ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia e rastit me Drejtorin e Futbollit Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Jurgen Demneri dhe specialistin e këtij sektori, Igli Mumajesi, të cilët i dorëzuan ekipit fitues medaljet dhe trofeun e “FSHF Cup”.