AlbanianSport.com 21/11/2018 15:40
ASNN – Kamza ka prezantuar të mërkurën Drejtorin e ri ekzekutiv, italianin Fabio Kordela, dhe trajnerin e ri, Ernest Gjoka. Të dy drejtuesit e rinj të klubit periferike besojnë se Kamza nuk është një mision i pamundur, pavarsisht se mban vendin e parafundit në renditjen e Kategorisë Superiore. Ndonëse mban vendin e parafundit në renditjen e Kategorisë Superiore, me 8 pikë të marra në këto 13 javët e para, Kamza nuk është një mision i pamundur.
Të këtij mendimi janë drejtori i ri i përgjithshëm, Fabio Kordela, dhe trajneri i ri, Ernest Gjoka, të cilët janë prezantuar të mërkurën. “Unë besoj që, për sa kohë që matematika na thotë që nuk jemi të vdekur, ne nuk jemi të vdekur, përkundrazi… – ka thënë italiani. – Besoj që Kamza i ka të gjitha kartat e duhura për të qenë një surprizë. Do të flasim prapë pas disa muajsh, por unë nuk besoj që Kamza është një mision i pamundur, përkundrazi.”
Për italianin e skuadrës periferike, duhet të ndryshojë edhe mënyra e administrimit të klubit. “Nga këndvështrimi administrativ, unë besoj që do të ndryshojë ajo që do të punojmë me synime afatmesme dhe afatgjata, – ka sqaruar Kordela. – Me pak fjalë, të punojmë për produktin, që për mua janë futbollistët, të rrisim vlerën e tyre dhe të sjellim të ardhura nëpërmjet shitblerjeve të lojtarëve. Mendoj që Kamza mund ta bëjë dhe unë personalisht e kam bërë me të gjitha klubet ku kam qenë, sepse nuk kam qenë kurrë në klube ku kishte para dhe punohej me para.”
“Rrethanat kanë qenë të tilla që na është dashur të punojmë, të ndërtojmë e më pas t’i sjellim të ardhura klubit, – ka theksuar ai. – Besoj që tek Kamza mund të bëjmë të njëjtën gjë.” Ndërsa trajneri Ernest Gjoka thekson se beteja e parë në punën e tij është ndryshimi i mendësisë së skuadrës. Gjoka do ta nisë detyrën me sfidën e së dielës, kur Kamza do të presë pasdreke në shtëpi Kukësin.