AlbanianSport.com 23/01/2019 16:05
ASNN – Në një nga takimet më të spikatura të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, Vllaznia ka marrë një fitore minimale, 2-1, në fushën e vet ndaj Kamzës, një rezultat ky që sidoqoftë e mban të hapur për ndeshjen e kthimit fatin e kualifikimit. Vllaznia ka kapërcyer pësimin e një goli dhe mbylljen e pjesës së parë në disavantazh, duke shënuar dy herë në të dytën dhe duke marrë një fitore me rezultatin 2-1 ndaj Kamzës, në ndeshjen e parë të vlefshme për turin e 16-shes së Kupës së Shqipërisë.
Në fakt, pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës ka folur më mirë për vendasit, të cilët e kanë dominuar lojën, me Zhunjorin si rrezik të vazhdueshëm në portën e Kamzës, por pa arritur të gjejë dot rrugën e rrjetës. Megjithatë, përkundër rrjedhës së lojës janë miqtë që e gjejnë të parët rrugën e rrjetës dhe pas një aksioni të bukur të Kamzës, ndërthurja e Fukuit me Martinenën nxjerr të lirë Mehmetajn.
Ky i fundit finalizon me sukses në minutën e 19-të atë që ishte i pari aksion për periferikët e kryeqytetit. Edhe pse Kamza do të rrezikojë të gjejë edhe një tjetër gol 5 minuta më pas, Vllaznia do të vijojë ta dominojë gjysmën e dytë të pjesës e parë, por pa e gjetur dot golin e barazimit dhe të dyja skuadrat shkojnë në pushimin e madh me miqtë në epërsi. Pjesa e dytë do të jetë më e hapur dhe më e luftuar dhe në minutën e 58-të, Antonio Marku fiton duelin ajror me mbrojtjen mike.
Ai e përcjell topin në rrjetë, duke rikthyer barazpeshën në rezultat. Vllaznia do të vijojë të ngulmojë dhe përpjekjet e saj do të shpërblehen 14 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Zhunjor do të zhbllokohet më në fund, duke shënuar atë që do të rezultojë goli i përmbysjes për kuqeblutë. Megjithë Zhunjor do të shpërdorojë një rast të pafalshëm në fund të ndeshjes, Vllaznia mposht Kamzën 2-1 dhe merr një fitore për ndeshjen e kthimit pas dy javësh.