AlbanianSport.com 24.06.2016 17:05
ASNN – Ndonëse Evropiani “Francë 2016” po shkon përgjithësisht mirë sa i përket aspektit organizativ, ka edhe nga ata që gjejnë të meta. Në Paris, grupi për mbrojtjen e trashëgimisë franceze, po proteston për atë që e quan ndotje të mjedisit nga banderolat e reklamave.
Jo të gjithë në Francë janë të lumtur që Kampionati i 15-të Evropian i Futbollit po mbahet në vendin e tyre. Sidomos në kryeqytetin e vendit, Paris, ku grupi për mbrojtjen e trashëgimisë franceze, i njohur shkurt si SPPEF, po proteston për atë që e quan ndotje të mjedisit nga banderolat e reklamave.
“Këto banderola janë një shkelje për 3 arsye: së pari, sepse janë vendosur në një zonë ku ndalohet reklamimi, së dyti, sepse mbulojnë semaforët dhe, së treti, sepse përmbajnë teks në anglisht që duhet të përkthehet”, – thotë zv/presidenti i SPPEF-së, Zhylien Lakazë
Madje, për Lakazën, fajtor kryesor është Bashkia e Parisit dhe kryetari i saj. “Zyra e tij po jep një shembull të keq dhe vras mendjen se ç’autoritet mund të ketë kryebashkiaku pas Evropianit përsa i përket rregullimit të reklamave, – thotë ai. – Rregullat duhet t’i respektojnë ata të parët, përpara se këtë t’ua kërkojnë të tjerëve.”
Megjithatë, mendimin e Lakazës duket se nuk e ndajnë edhe njerëzit e thjeshtë. Marie-Hélènë Pierrat, një pensioniste 68-vjeçare e quan këtë një përpjekje për të prishur një eveniment madhor që po shkon shumë mirë. Ndërsa për Zhanën, një studente 18-vjeçare, këto banderola nuk përbëjnë asnjë problem.