AlbanianSport.com 12/10/2018 10:40
ASNN – Jusein Bolt shkëlqen edhe si futbollist, vijnë dy golat e parë si profesionist në futbollin australian. Atleti i madh xhamajlan Usain Bolt shënoi dy golat e para të karrierës së tij profesioniste në futboll në debutimin e tij të plotë këtë të premte për Sentrël Koust Mariners në një miqësore në prag të nisjes së sezonit të ri të Ligës A të Australisë.
Mbreti xhamajkan i sprintit dhe rekordmen botëror në 100 e 200 metra, ishte vendimtar në fitoren 4-0 të skuadrës së tij përballë MekArthur Sauth Uest Junajtid në Sidnej. Bolti tregoi të gjithë madhështinë e tij dhe të karrierës së tij legjendare në atletikë, kur shënoi golin e parë dhjetë minutash pasi kishte filluar pjesa e dytë e ndeshjes. Bolti luajti 75 minuta përpara se të zëvendësohet, ndërsa “Mariners” po shkonin të sigurt drejt fitores.
Ai arriti të bënte disa kalime të bukura gjatë lojës, si dhe të shënojë gola. Pasi doli nga fusha ai nisi të nënshkruajë autografe, duke ndjerë edhe rehatinë që të jep fitorja në këtë rast. Referuar edhe “Daily Mail”-it, pas ndeshjes, Bolt u shpreh: “Fillimi në këtë formë dhe shënimi i dy golave është një ndjenjë e mirë. Jam i lumtur që mund të vij këtu dhe t’i tregoj botës që jam duke u përmirësuar.”
“Unë jam i prirur për të qenë një “marinar”, të luaj më të mirën time dhe të futem në ekip, e pse jo të fitoj ndeshjen”, – ka përfunduar kampioni i 8-fishtë olimpik i garave të shpejtësisë.