AlbanianSport.com 05/10/2021 16:25
ASNN – Komentatori i njohur i sportit ndërroi jetë në Turqi për shkak të “Covid-19”. Gazetaria dhe sporti shqiptar ka marrë sot në mëngjes një lajm të dhimbshëm, teksa është mësuar se gazetari dhe komentatori i njohur sportiv Kosta Grillo, ka humbur betejen me virusin korona. Komentatori i njohur ka qenë i shtruar në një spital në Turqi që prej muajit gusht për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore nga koronavirusit.
Grillo mbahej në intubim nga mjekët, por fatkeqësisht, gazetari nuk ka mundur ta fitojë betejën me sëmundjen e rëndë dhe ka ndërruar jetë. Grillo i përket brezit të gazetarëve sportivë që vërshuan në mediat shqiptare pas vitit 1990. Fillimisht ai ishte i pranishëm në mediat e shkruara me shkrime dhe analiza të shumta dhe në një intervistë dhënë për RTSH-në, ai ka kujtuar edhe fillimet e tij si komentator. Më pas Grillo u bë i njohur si komentator sportiv, veçmas i futbollit në RTSH, ku ka dhënë një kontribut të çmuar.
Edhe pse vitet e fundit ai ishte shkëputur nga transmetuesi publik, prapëseprapë lidhje e tij me RTSH-në ishte e pandërprerë. Në arkivin e tij RTSh ruan ngjarje shumë të rëndësishme sportive të sjella në komentin profesional të Kosta Grillos. Ndarja e tij nga jeta ka sjellë edhe reagimin e personazheve të politikës dhe sportit. Kosta Grillo ishte shndërruar në zërin simbol të futbollit dhe ka reaguar për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptar të Futbollit, Armand Duka.
“I dhimbshëm lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit e komentatorit të mirënjohur sportiv, Kosta Grillo, cili nuk ia doli dot të fitojë betejën me Covid-19”, – shkruan kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend në një postim në rrjetet sociale. “Një personazh mjaft i dashur për sportdashësit shqiptarë, të cilët për vite me radhë kanë përjetuar emocionet e ndeshjeve nga ekrani i televizorit me komentin e Kostës, ka vijuar Presidenti i FSHF-së. – Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Grillo, të afërmve dhe miqve të tij. I paharruar qoftë kujtimi i tij. U prehtë në paqe!”
Largimi i tij nga kjo jetë do të sjellë mungesën e pazëvendësueshme në familje, por edhe në gazetarinë sportive shqiptare, të cilës Grillo i kushtoi jetën.