AlbanianSport.com 01/06/2018 14:25
ASNN – Ndonëse ai është vetëm 18 vjeç, Leonardo Frrokaj është shndërruar shumë shpejt në një personazh të mundjes shqiptare për betejën që po bën për rikthimin në normalitet, pas një aksidenti fatkeq dhe për shpirtin e paepur. Për këtë arsye, ai është nderuar nga Federata Shqiptare e këtij sporti, e cila i ka dhënë titullin “Nderi i Mundjes Shqipëtare”.
Ceremonia e thjeshtë është mbajtur ditët e fundit në qendrën e rehabilitimit në Soça të Ljubljanës në Slloveni, atje ku presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, në prani të trajnerit Orges Liçaj, i ka dorëzuar pllakatën simbolike, duke i uruar shërim të shpejtë. Sportisti i ri dhe i talentuar, Leonardo Frrokaj, e ka lënë pas dëmtimin e rëndë dhe është drejt shërimit të plotë.
Në javën e parë të nëntorit të vitit të shkuar, në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 17 vjeç në mundje, Leonard Frrokaj, prej të cilit pritej medalje, ka humbur ndjenjat gjatë garimit dhe ndeshjes së tij duke dëmtuar vertebrat e qafës. Frrokaj, i cili është edhe kampion Shqipërie në kategorinë e peshës deri 63 kg dhe që garonte në stilin greko-romak, po ndeshej me kundërshtarin e tij nga Moldavia për medalje të artë ose të argjendtë.
Por aty ka ndodhur edhe aksidenti dramatik. Federata Ballkanike e Mundjes dhe organizatorët e aktivitetit i kanë ardhur në ndihmë sportistit shqiptar, të cilin e kanë transportuar me helikopter në Ljubljanë, ku i është nënshtruar një operacioni për rreth 4 orë. Përgjatë 4 muajve që vijuar, Frrokaj ka kaluar nga gjendja e komës, nëpër një proces të dhimbshëm dhe të gjatë rikuperimi, për të ardhur në këtë ditë, kur ai qëndron mbi këmbët e tij, natyrisht ndihmën e pajisjeve mbështetëse.